Një skandal i përmasave të mëdha ishte në realizim e sipër në ministrinë e drejtuar nga Xhelal Sveçla. U stopua tek pasi dikush jashtë ministrisë njoftoi zyrtarët se ishte në dijeni për të. Mbi 420 mijë euro ishin bërë gati që t’i jepeshin kompanisë së një biznesmeni që para dy muajve ishte arrestuar për mashtrim. Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e këtij tenderi, në të cilin është shpallur fitues kompania e personit për të cilin Albin Kurti ka shfaqur publikisht respekt.
Jasmir Morina nuk do ta kishte besuar kurrë se në fund të janarit do të gjendej në një pozitë kaq të çuditshme.
Dy muaj pas arrestimit të tij pompoz për falsifikim të dokumenteve tenderuese, Morina ishte në pritje të dy lajmeve. Një lajmi të mirë dhe një lajmi që gjasat maksimale i kishte që të ishte i keq.
Më 7 shkurt ishte caktuar seanca kundër tij. Nga prokurori i rastit kërkohej dënimi i tij si dhe ndalimi i pjesëmarrjes në tenderët publikë.
Por, kjo kërkesë e prokurorisë nuk e kishte frikësuar shumë biznesmenin Morina.
Gjatë tërë janarit, muajit kur humbte kohën nëpër gjykata, Morina ishte në pritje edhe të një lajmi të mirë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, e drejtuar nga Xhelal Sveçla.
Kishte konkurruar në ministrinë e Sveçlës në një tender që kap vlerën e mbi 420 mijë eurove. Më 28 janar kompanisë së tij i ishte kumtuar lajmi i mirë. Ishte shpallur fituese e tenderit nga ministria e Sveçlës.
Askush nuk e kishte vërejtur ose nuk kishte dashur ta vërente që fitues i tenderit të madh ishte kompania e biznesmenit të arrestuarit që para dy muajve kishte qëndruar në burg. Ajo që dihej ishte kjo: Jasmir Morina ishte person i respektuar nga kryeministri Kurti.
Për fatin e mirë të kësaj ministrie, një prej operatorëve që kishte humbur garën kishte lajmëruar autoritetet për këtë skandal të madh.
Ishte ankuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kishte ofruar dëshmi se kishin shpallur fitues kompaninë e biznesmenit që para dy muajsh ishte arrestuar për falsifikim të dokumenteve tenderuese. Kishte ofruar poashtu dëshmi që dokumente të falsifikuara kishte dorëzuar edhe në tenderin mbi 400 mijë eurosh të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga frika se ky skandal do të merrte përmasa të mëdha, ministria e Sveçlës kishte anuluar vendimin për t’ia dhënë këtë shumë parash të arrestuarit Morina.
Insajderi ka siguruar dosjën e këtij rasti dhe sjell historinë e prapaskenës së këtij tenderi që kishte alarmuar tërë administratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Detajet skandalit: Si erdhi deri te shpërblimi me tender i kompanisë së të arrestuarit
Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla në janar të këtij viti kishte shpërblyer me tender në vlerë mbi 420 mijë euro kompaninë ‘Tribune’, pronari i së cilës ishte i akuzuar për falsifikim dhe mashtrim me dokumente në tenderët publikë.
Kompania “Tribune”, nën pronësinë e Morinës arrit që me 28 janar të këtij vitit të fitojë tender nga Ministra e Punëve të Brendshme për “Ndërtimin e objektit Gjykata Themelore e Novobërdës-faza II”
Ministria që drejtohet nga Sveçla nuk e kishte detektuar se pronari i kompanisë ‘Tribune’ të cilën e shpalli fituese të tenderit, ishte akuzuar për falsifikim të dokumenteve në tenderë publikë. Përkundër këtij fakti, e kishte shpërblyer me tender në vlerë 428,702.34 euro.
Zyra e Prokurimit e MPB-së, në njoftimin për dhënie të kontratës shkruante se e kishin vlerësuar me kujdes dokumentacionin që e kishte dërguar kompania “Tribuna” në tenderin e ministrisë.
Por, pavarësisht kësaj çfarë shkruajnë zyra e prokurimit ata nuk e kishin vërejtur se tenderin po ja jepnin biznesmenit të akuzuar për falsifikim.
Dikush tjetër i informoi ata se fituesi i tenderit kishte aktakuzë për mashtrim me dokumente.
Një kompani konkurues i kishte dërguar kërkesë për rishqyrtimin të tenderit ministrisë, duke i treguar që kompani “Tribune”, kishte aktakuzë për falsifikim dhe mashtrim me dokumente në një tender publik.
Kompania private “Isars” me 1 shkurt kishte dorëzuar ankesë në ministri duke kërkuar rishqyrtimin e këtij aktiviteti të prokurimit.
Në ankesë ‘Isars” kishte prentenduar se kompania e shpallur e biznesmenit Morina kishte kryer vepër të ngjashme edhe në tenderin e ministrisë së Sveçlës.
Kompania “Isars” kishte pohuar se ingjinerit të hidroteknikut Ismet Halili të cilin e kishte prezantuar ‘Tribune’ dyshohet se i është falsifikuar nënshkrimi pasi që i njëjti dallon te CV dhe kontrata e nënshkruar.
Pas kësaj ankese, ministria kishte pezulluar tenderin që ia kishte dhënë kompanisë “Tribuna”. Ky vendim ishte marrë me 2 shkurt 2022.
Megjithatë, përkundër eliminimit të biznesit të Morinës ky tender ende nuk është finalizuar.
Herën e dytë kjo ministri shpalli fitues kompaninë “Prishtina”, pronë e Selman Rizas, ku vlera e tenderi arrit vlerën 474,222,00 euro.
Ankesa pati edhe ndaj këtij vendimi. Por në këtë rast nuk ishte ankuar vetëm kompania “Isars”. Në MPB ishin dorëzuar edhe dy ankesa tjera, nga kompania “NBT-ING” dhe kompania “Engineering”.
Këto tri kompani kishin pohuar se kompani “Prishtina”, ka ofruar çmimin më të lartë në tender dhe se nuk i përmbush kriteret në dosjen e tenderit.
Kush është biznesmeni Jasmir Morina?
Policia e Kosovës më 22 nëntor të vitit të kaluar kishte arrestuar pronarin e kompanisë ‘Tribune SHPK”, Jasmir Morina. Ai dyshohej se e ka keqpërdorur licencën e arkitektes në tenderin e Spitalit të Gjilanit.
Morina kishte tentuar të kap tender në vlerë në vlerë prej 47,058.03 euro, duke mashtruar me dokumente të falsifikuara. Nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, Gjykatën Themelore në Gjilanit me 24 nëntor ia kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Vetëm dy javë pas biznesmenit Morina i ishte ngritur edhe aktakuzë.
Në aktakuzë e 8 dhjetor të viti 2021, thuhej se Morina me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës së dokumentacionit ofertues ku ki paraqitur diplomën e inxhinieres së arkitekturës F.K., duke e prezantuar si pjesë të stafit të kompanisë së tij “Tribune” Sh.P.K..
Përveç kësaj ai kishte prezantuar edhe një kontratë mbi vepër të cilën e ka nënshkruar në emër të arkitektes F.K., duke përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme, të kompanisë së tij, gjithashtu kishte paraqitur edhe dy referenca të lëshuara nga kompanitë “GJK Keno” dhe “TIC Consulting” duke e prezantuar F.K., se kinse e njëjta në cilësinë e inxhinieres kishte qenë pjesë e stafit mbikëqyrës të këtyre dy kompanive.
Për këtë aktakuzë Gjykata Themelore në Gjilan kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, Jasmir Morina, duke e dënuar me 4 mijë e 780 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se kishte paraqitur dokumentacion të rremë.
Kjo aktakuzë ia ndaloj Morinës aplikim në prokurim publik prej 1 viti, nga dita kur vendimi të merr formën e prerë.
Ndryshe, biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim me tender duke se ka një afërsi me pushtetin aktual.
Në një fotografi shihet Morina dhe Kurti duke biseduar në një tubim. Aty është edhe Hydajet Hyseni-Kaloshi, që tash e një kohë është pjesë e Vetëvendosjes.
Kurti e kishte vizituar edhe ekspozitën e Morinës në Bibliotekën Kombëtare Universitare në vitin 2020.
Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribunë SHPK”, figuron si drejtor i kësaj kompanie që nga viti 2014.
Kompania e tij ka përfituar 20 kontrata në procedurën e Prokurimit Publik, në vlerë afër një milion euro (964,090.12 Euro me TVSh).
Tenderi me vlerën më të madhe i fituar nga “Tribune SHPK”, është dhënë nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2019, në vlerë prej 202 mijë eurove për renovimin e ndërtesës.
Pastaj, kompania e Jasmir Morinës ka përfituar tender nga Qendra e Studentëve në vitin 2018 në vlerë prej 169 mijë eurove për shtrimin i vinflex në konviktet 1,2,3,4,6 dhe 7.
Vetëm në vitin 2021, “Tribune SHPK” fitoi tri kontrata nga institucionet publike në vlerë prej 78 mijë eurove./Gazeta Insajderi/