×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Hulumtimi i Insajderit- “Parimet” e Alban Hysenit, afro 4 mijë euro për miqtë e partnerit të koalicionit të tij

    Insajderi
    30 March 2022 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pushteti i Alban Hysenit, është kujdesur që t’i ndante të kënaqur me shumën e ndarë të parave miqtë e ngushte të partnerit të tij të koalicionit, Arianit Ibrahimit të AKR-së.

    Skema e përfitimit e njerëzve të afërt me partnerin e koalicionit të Alban Hysenit u ndërpre pas presionit të madh publik.

    Kryetari Hyseni, anuloi vendimin pasi që u publikuan hulumtime për keqpërdorime të taksave të qytetarëve. Insajderi raportoi se në listën e përfituesve ishin vëllai i një anëtari të komisionit si dhe djali e kunati e një anëtareje tjetër të të njëjtit komision.

    Pas dy hulumtimeve, që përfshinin në aferat korruptive të dy anëtarëve të komisionit, Insajderi sjell hulumtimin tjetër, që tregon për favorizimin e miqve e bashkëpunëtoreve të partnerit të koalicionit të Alban Hysenit.

    Nga “Marrëveshje mbi Parimet”, në ndarje tinëz të afro 4 mijë euro për njerëzit e partnerit të koalicionit

    Përfituesi më i madh i thirrjes publike të shpallur nga pushteti i Alban Hysenit të VV-së, ishte një organizatë e drejtuar nga miqtë e ngushtë të partnerit të tij të koalicionit, Arianit Ibrahimi. Organizata quhet “Lirona MDV”.

    Drejtohet nga Lirona Zuka, Gentrit Shala, Argjenta Qamili. Të tre janë miq të Arianit Ibrahimi, kryetarit të degës së Aleancës Kosova e Re në Gjilan. AKR në Gjilan është në koalicion me Vetëvendosjen, që pushteti drejtohet nga Alban Hyseni.

    Emri i projektit përmes së cilit, miqt e Ibrahimit tentuan t’i marrin mjetet nga komuna, është “Film Dokumentar për vlerat kulturore”.

    Të njëjtit kishin përfituar edhe nga pushteti i Lutfi Haziri, përmes organizatës “The Future” përfaqësues i së cilës ishte Arianit Ibrahimi.

    Grupi kishin marrë një shumë prej 1 mijë e 500 eurosh për të realizuar një dokumentar për Medvegjën. Paratë i morën, por projektin nuk e realizuan kurrë, shkruan Insajderi.

    Vetëm një gjë ndryshon te përfitimet e projekteve nga të dy pushtetet.

    Në projektin e kaluar shef i Lirona Zukës, Gentian Shalës e Argjenta Qamilit ishte Arianit Ibrahimi. Emri i tij figuronte në projektin e kaluar. Në të riun nuk figuron zyrtarisht pasi që është partner zyrtar i koalicionit bashkë-qeverisës me Alban Hysenin e VV-së.

    Ibrahimi është asamblist në Gjilan nga radhët e AKR-së së Pacollit.

    Gazeta Insajderi, i ka dërguar pyetje komunës së Gjilanit. Ende nuk ka marrë përgjigje se si është e mundur që përfitues të jenë njerëzit e partnerit të koalicionit, gjë që bie në kundërshtim me deklarimet e kryetarit Hysenit.

    Ai kur kishte bërë thirrje për t’iu bashkëngjitur VV-së në koalicion kishte potencuar disa herë se ata që duan të jenë pjesë e bashkëqeverisjes duhet të nënshkruajnë një dokument të emërtuar “Marrëveshje mbi Parimet”.

    Megjithatë, Hyseni mbrëmë vendosi që të anuloj të gjithë procesin e thirrjes publike për subvencionimin e organizatave duke pohuar se arsyeja e anulimit ka qenë nga parregullsitë që janë bërë gjatë procesit.

    “Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruan ai.


    “Grupi i zhvatësve paska përfituar serish”- Përplasjet publike mes Kushtrim Kadriut e Arianit Ibrahimit

    “Grupi i cili është duke u hetuar se ka zhvatë paranë publike të Gjilanit për “projekte” në Medvegjë, paska fituar edhe një projekt më vlerë prej 3498€”, ka thënë për Insajderin Kushtrim Kadriu përfaqësues i organizatës “Vatra.

    Kadriu tregon se ka bërë edhe denoncim në polici ndaj Arianit Ibrahimit, për keqpërdorim të buxhetit të komunës përmes organizatës “The Future”.

    Shumën për të cilën kritikohet, Ibrahimi e kishte përfituar nga pushteti i mëparshëm i Lutfi Hazirit, nëpërmjet projektit “Dokumentar për Medvegjën”

    Në vitin 2020, Arianit Ibrahimi përmes organizatës “The Future” ka përfituar  një shumë nga komuna përmes projektit “Dokumentar për Medvegjën”, projekt të cilin nuk e ka realizuar.

    Ibrahimi është denoncuar në polici nga Kurshtrim Kadriu pronar i organizatës “Vatra”. Ai ka hedhur akuza ndaj Ibrahimit për vjedhje të 1 mijë e 500 eurove të taksave të qytetarëve.

    “Më herët, këto projekte i kishte pas fituar Arianit Ibrahimi i AKR- së përmes dy shoqatave të tij, ndërsa tani e paskan themeluar një shoqatë tjetër “Lirona MD”, themeluese e së cilës figuron Argjenda Qamili, e cila ka qenë pjesë edhe e projekteve të mëhershme të cilat janë duke u hetuar, pretendon Kadriu.

    Pjesë e organizatës “The Future” ka qenë edhe Argjenda Qamili e cila tash është përfaqësuese e organizatës “Lirona MDV” që ka përfituar rreth 3.500 euro me projektin “Film Dokumentar për vlerat kulturore”

    Insajderi ka vërtetuar lidhet e tyre edhe përmes regjistrimit të organizatave në Kosovë.

    Sipas kësaj dëshmie shihet se Argjenda Qamili ka qenë Administratore në projektin “Dokumentar për Medvegjën” në organizatën “TheFuture”. Po i njëjti emër ka hapur organizatën e re me ermin “Lirona MDV” si përfaqësuese e autorizuar.

    Arianit Ibrahimi është kontaktuar nga Gazeta Insajderi, por ai nuk ka pranuar të flas lidhur me këtë çështje duke thënë se është në pritje të organeve të drejtësisë të merën me rastin.

    Por ai ka kërkuar t’i referohemi statusit të tij në Facebook. Ai përmes facebokut ka thënë se deklaratat e Kadriut janë shpifje dhe të pa vërteta.

    “Çuditna me portalet lokale tona, si i jepet hapësirë një njeriu shpifës, degradues e pa etik morale e njerëzore, që është shndërruar në një njeri i neveritshëm për të gjithë qytetarë e Gjilanit”, shkruan ai për Kadriun në Facebook.

    Arinait Ibrahimi aktualisht është asamblist i Kuvendit Komunal në Gjilan. Po ashtu Arianiti është i nominuar për kryetar për zyre të Luginës në komunën e Gjilanit./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark