×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit për 3 milionëshin e Ministrisë së Elbert Krasniqit, Auditori Jashtëm alarmon për favorizim

    Insajderi
    18 June 2024 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale ka konfirmuar nisjen e hetimeve. Çka ka ndodhur deri tash me projektin 3 milionësh të Ministrisë që drejtohet nga Elbert Krasniqi, për ndërtimin e shtëpive? Një hulumtim i Gazetës Insajderi i fund-vitit të kaluar pati zbuluar një aferë me lidhje familjare e politike, për çka edhe Auditori i Jashtëm tash alarmon. “Mungesa e dokumentimit të duhur lidhur me procesin e vlerësimit të përfituesve nuk jep siguri lidhur me zbatimin e kritereve me prioritet në kushte të barabarta sipas thirrjes publike, si dhe rritë rrezikun e favorizimit”, konstaton raporti i ZKA.

    Gazeta Insajderi

    Gazeta Insajderi në dhjetor të 2023-tës përmes një hulmtimi disa mujor kishte zbuluar se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi e kishte shpenzuar fondin 3 milionësh për ndërtim e renovim shtëpish. Kompanitë që kryejnë këto punë u zgjodhën pa tender, diçka që në projektet e më hareshme të gjasshme qeveritare u bë ndryshe.

    Gazeta Insajderi nga burimet e veta mëson se Prokuroria Speciale kanë nisur hetimet lidhur me këtë tender.

    “Kane kërkuar të gjitha dokumentet me të dhëna nga MAPL”, tha burimi i Insajderit.

    Gazeta Insajderi po ashtu ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria por të njëjtit, nuk kanë dhënë ndonjë detaj.

    “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se Prokuroria Speciale në këtë fazë nuk mund të iu ofroj asnjë informacion”, tha zëdhënësja për media e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

    Pas konfirmimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin që konfirmon hulumtimin e Gazetës Insajderi.

    Ky institucion është përqendruar tek rreziku i favorizimit të dikujt që nuk pati nevojë për këto shtëpi.

    “Mungesa e dokumentimit të duhur lidhur me procesin e vlerësimit të përfituesve nuk jep siguri lidhur me zbatimin e kritereve me prioritet në kushte të barabarta sipas thirrjes publike, si dhe rritë rrezikun e favorizimit”, konstaton raporti i ZKA, raporton Insajderi.

    Në raport thuhet se “lidhur me procedurat e përzgjedhjes së përfituesve për ndërtimin e shtëpive sipas dy thirrjeve publike për të cilat ishin ndarë mjete në vlerë të përbashkët 3,000,000€ për ndërtimin e shtëpive me sipërfaqe 75m2 dhe 62m2, është identifikuar se nuk ka dëshmi të mjaftueshme nga ana e komisionit për përzgjedhjen e përfituesve dhe ekzaminimin e tyre në terren para dhënies së subvencioneve”.

    Sipas “Thirrjes publike për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna për të cilët ndihma është e nevojshme” dhe “Thirrjes publike për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat veriore: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, kriteret e vendosura përcaktojnë se prioritet në kushte të barabarta kanë kategoritë si në vijim: 1.Përfituesit potenciale ose familjar me nevoja të veçanta; 2.Përfituesit potenciale me familjar në gjendje të rëndë shëndetësore; 3.Përfitues potencial që nuk janë të punësuar dhe nuk janë përfitues të skemës sociale.4.Prindërit vetë ushqyese. 5.Numri i anëtarëve të familjes.

    “Edhe pse ka qenë kërkesë e thirrjes që në kushte të barabarta prioritet duhet të kenë kategoritë e veçantë, nuk ka dëshmi se këto kritere janë zbatuar nga komisioni përzgjedhës”, konstaton ZKA.

    Sipas listave të ofruara nga komisioni i vlerësimit tek Auditori i Jashtëm, “tek thirrja e parë e datës 07.08.2023, kishin aplikuar 200 pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë përderisa, sipas listës së komisionit, kriteret i kishin plotësuar 119 prej tyre dhe ishin përzgjedhur për t’u financiar vetem 57 përfitues”, thuhet në raport derisa bëhet me dije një shpërputhje krejt tjetër pastaj

    “Tek thirrja e dytë e datës 22.11.2023 kishin aplikuar 142 pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë, sipas listës së komisionit, prej tyre 85 i kishin plotësuar kriteret për ndërtimin e shtëpive nga të cilët ishin përzgjedhur për t’u financuar vetëm 21 përfitues”, thuhet në raport.

    Sipas Auditorit të Jashtëm të Republikës, komisioni për vlerësimin e aplikacioneve i Ministrisë së Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Elber Krasniqi, “nuk kishte përgatitur një raport detal për mënyrën e kategorizimit të përfituesve të cilët ishin prioritizuar nga lista e plotë e përfituesve. Komisioni vlerësues kishte kryer vizita në terren për vlerësimin e gjendjes së përfituesve, por nuk kishte siguruar asnjë dëshmi për mënyrën e përzgjedhjes së 57, përkatësisht 21 përfituesve”.

    Auditori i Jashtëm kishte bërë edhe testime vet, pasi që gjeti këto të dhëna dhe mungesën e raportit të detajuar të komisionit.

    “Ne kemi testuar edhe gjashtë (6) raste të aplikuesve të cilët sipas listave zyrtare edhe pse i kishin plotësuar kriteret për subvencionim nuk ishin përfitues. Për të njëjtit, nuk kishte dëshmi se si janë vlerësuar kriteret shtesë për rastet me kushte të barabarta sipas thirrjes publike”, konstaton ZKA.

    Por, pse ndodhi kjo, sipas Auditorit të Jashtëm?

    “Kjo kishte ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar aktivitetet e duhura të kontrollit lidhur me raportimin dhe monitorimin nga ana e komisionit për ndarjen e subvencioneve, me ç’rast nuk ishte dokumentuar sa duhet procesi i vlerësimit të aplikacioneve sipas kritereve të përcaktuara nga ministria”, konstatohet në raport.

    Një hulumtim i Insajderit i realizuar për disa muaj, në bashkëpunim me aktivistë të shoqërisë civile që mbikëqyrin edhe shpërndarjen e fondeve për komunitetet pakicë në vend pati gjetur se në së paku 30 raste, nga përfituesit për ndërtim ose renovim shtëpie, janë ose me lidhej familjare me zyrtarët e MAPL-së, ose me lidhje politike me partinë e Ministrit Krasniqi, dhe parti të deputetëve të pakicave.

    Lexo hulumtimin e plotë këtu:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark