Kosova rrezikon të humbasë një investim prej 55 milionë euro në Komunën e Podujevës, investim i cili parasheh punësimin e mbi 300 punëtorëve, për shkak të një “pingpongu” burokratik mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Podujevës, raporton Gazeta Insajderi.
Kompania gjermane “Soilcos” në bashkëpunim me kompaninë “Erdi R Products”, kanë një vit që po tentojnë të nisin punimet për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtërishme në Komunën e Podujevës, projekt ky që parasheh punësimin e mbi 300 punëtorëve.
Kërkesa e tyre për ndërtimin e fabrikës në fshatin Mirovc të Podujevës po refuzohet në vazhdimësi nga drejtori i për Planfikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në këtë komunë, Bujar Hasani, i cili insiston se në këtë zonë sipas Planit Zhvillimor Komunal nuk lejohet ndërtimi.
Neglizhenca e Komunës së Podujevës dhe premtimi i Shpejtim Bulliqit
Kompania gjermane fillimisht kishte aplikuar për leje ndërtimore në nëntor të vitit 2020. Pavarësisht se aplikimi përmbante të gjitha dokumentet e kërkuara, për tre muaj rresht Komuna e Podujevës nuk dha asnjë përgjegjie dhe në fund Shpejtim Bulliqi njoftoi se kërkohej një aplikim i ri, pasi të parit i kishte përfunduar afati për përgjegjie.
Në një takim të mbajtur në muajin mars të këtij viti mes kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera dhe pronarit të kompanisë “Soilcos” nga Gjermania, Jurgen Stainmuler, Komuna e Podujevës kishte shprehur gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.
“Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me anëtarët e ekzekutivit Bujar Hasani, Fevzi Jetullahu dhe Ajet Potera, priti në takim pronarin e kompanisë “Soilcos” nga Gjermania Jurgen Stainmuler dhe përfaqësuesin e kësaj kompanie në Kosovë, Bekim Zejnullahu dhe Rejona Zejnullahu – drejtoreshë e Kompanisë “Erdi R Products. Gjatë takimit të sotëm me kryetarin Bulliqi, pronari i kompanisë gjermane, Jurgen Stainmuler, gjerman shprehu gatishmërinë të investojë në komunën tonë dhe ofroi projektin për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.
Me këtë rast kryetari Bulliqi shprehu gatishmërinë e plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.
“Përveç përfitimeve në ruajtjen e ambientit dhe prodhimin e energjisë, me këtë projekt do të krijohen edhe shumë vende të reja pune për të rinjtë llapjanë”, tha atë ditë kryetari Bulliqi.
Me realizimin e këtij projekti pritet të punësohen mbi 280 punëtorë, kurse kostoja totale e projektit është 55 milionë euro.
Kryetari Bulliqi dhe investitori gjerman u pajtuan që menjëherë të fillohet me procedurat për realizimin e projektit” – thuhej në njoftimin e Komunës së Podujevës për takimin e 4 marsit.
Premtimi që nuk u mbajt nga Shpejtim Bulliqi – refuzimi i radhës nga Komuna e Podujevës
Dy muaj pas këtij takimi ku u premtua përkrahje për këtë projekt, Komuna e Podujevës refuzoi aplikimin e dytë të invesitorëve gjerman, teksa kryetari Shpejtim Bulliqi e fshiu postimin e takimit të marsit në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
Megjithatë, njoftimi për takimin e 4 marsit dhe premtimi për përkrahje institucionale nga Shpejtimi Bulliqi dhe drejtori Bujar Hasani ende figuron në faqen zyrtare të Komunës.
Apelimi i çështjes tek Ministria e Infrastrukturës, përfshirja e Qeverisë Kurti dhe refuzimi i radhës nga Komuna e Podujevës
Pas refuzimit të projektit nga ana e Komunës së Podujevës, përkundër premtimit për përkrahje, invesitori gjerman, mbajti një takim me anëtarë të Qeverisë Kurti. Në takimin e mbajtur mes Rozeta Hajdarin dhe Librun Aliun me biznesmenin gjerman Siengried Hohmann, u premtua se projekti do të vazhdoi përpara dhe se do të ketë mbështetjen nga niveli qendror.
Përveç takimit, ekziston edhe një letër e invesitorit gjerman drejtuar kryeministrit Albin Kurtit, ku thuhet se në takimin e përfaqësuesit të kompanisë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ky i fundit kishte premtuar se aplikimi do të shqyrtohet në kohë. Në letër thuhet se kompania nuk ka vendosur që të ngrisë padi përkundër këshillës së avokatëve.
Hohmann në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, gjithashtu thuhet se projekti në vlerën 55 milionë euro është 100% privat, dhe përdor teknologjinë më të avancuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Përveç investimit në fabrikën e ricklimit të mbeturinave, Hohmann thotë se janë duke punuar me pordhuesin gjerman Leoni, për ndërtimin e një fabrike në Kosovë, e cila do të bënte prodhimin e seteve të kabllove për industrinë e automjeteve.
Me 16 korrik, Ministria e Infrastrukturës aprovoi ankesën e Bekim Zejnullahut, si përfaqësues i investimit gjerman për anulimin e vendimit të Komunës së Podujevës, duke e detyruar Drejtorin e Planifikimit Urban të Podujevës të nxjerrë akt administrativ të ri.
Përkundër vendimit nga Ministria e Infrastrukturës, drejtoria e Planifikimit Urban të Podujevës në krye me Bujar Hasanin, nxori një vendim të dytë refuzuese për dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e fabrikës për përpunimin termik të mbeturinave me arsyetimin se sipas Planit Zhvillimor Komunal nuk lejohet ndërtimi.
“Bujar Hasani (drejtori i Planifikimit Urban në Podujevë) e refuzon projektin. Ai përqesh vendimin e Ministrisë, thotë se është bërë nga fëmijët dhe për mua është vendim i papranueshëm. Ai ka thënë që shkoni tek kryeministri Kurti dhe ministri Aliu, ata të japin vendimin unë jo. Nuk i intereson, veç thotë nuk ta jap e nuk ta jap” – shprehet Bekim Zejnullahu në një intervistë për Gazetën Insajderi.
Rreziku i tërheqjes së invesitorit gjerman dhe paralajmërimi për padi prej 15 milionë euro për Qeverinë e Kosovës
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, kryeministri Kurti kishte deklaruar se në qeverisjen e tij do të bëhet rritja e investimeve të huaja, teksa pati përmendur rastet e tërheqjes së invesitorëve të huaj nga Kosova, e cila sipas tij ishte shumë shqetësuese.
“Do të na vijnë edhe investime të mërgatës tonë dhe të huaja. E dimë që kanë provuar të tjerët të vinë, por nuk kanë gjetur mirëkuptim në Kosovë. Ju e dini që edhe Mercedesi është tërhequr nga Kosova” – ishte shprehur Kurti në shtator të vitit 2019.
Largimin e invesitorëve të huaj është gati të ndodhë edhe gjatë qeverisjes Kurti, me kompaninë gjermane e cila ka gjasa që edhe ta padisë Qeverinë e Kosovës për dëmshpërblim në vlerë prej 15 milionë euro.
“Projekti është prolonguar tepër shumë. Partneri gjerman po e sheh që ka shumë vonesa, është përgatitur me juristët e vetë për të ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke qenë se kishte shumë besimin në Qeverinë Kurti. Invesitor gjerman tashmë ka porositur makinat për riciklim dhe kërkon 15 milionë euro rikompensim të dëmeve. E lus Qeverinë e Kosovës të merr masa, të na jap lejën në mënyrën më të shpejtë të mundshme që të mos e humbasim projektin që të mos vjen tek ajo që Qeveria e Kosovës të paguajë dëmet” – shprehet Zejnullahu, i cili kërkon nga Kurti të bëjë trysni tek kryetari Bulliqi dhe drejtori Bujar Hasani.
“Kryeministri Kurti thotë në Slloveni se i kam siguruar invesitorët, por invesitorët nuk kanë sigurim. Që 11 muaj ne presim për të filluar ndërtimin e fabrikës. Ne presim dritën e gjelbërt nga kryeministri Kurti për ta zbatuar vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për të filluar punën” – vijoi Zejnullahu.
Akuzat për haraç dhe përplasjet brenda zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje
Akuza të rënda në drejtim të drejtim të Komunës së Podujevës ka ngritur edhe ish zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, i cili në një debat televiziv tha se arsyeja e bllokimit të projektit në Podujevë është kërkimi i haraçit.
“Është një invesitor në Podujevë, i cili dëshiron që nga Gjermania të investojë mbi 55 milionë euro. Ky është blloku nga njerëzit që janë duke kërkuar haraç nga ta për me mujtë me i leju (me vazhdu me projekt)” – deklaronte Abazi në Debat Plus në TV Dukagjini.
Akuza në drejtim të pushtetit të Shpejtim Bulliqit në Podujevë janë bërë edhe nga këshilltari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mehmet Gashi, i kishte kishte akuzuar drejtorin e Urbanizimit për neglizhencë ndaj investitorëve potencialë.
“E kam një pyetje për drejtorin e Urbanizmit. Çka është bërë me kërkesën e kompanisë gjermane që ka bërë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave për prodhimin e energjisë së ripërtritshme në Komunën e Podujevës? E ky projekt pritet t’i punësojë 280 punëtorë e kostoja totale e projektit është 55 milionë euro. Këtë publikim e ka bërë edhe kryetari Bulliqi. Edhe pse kryetari i ka shpreh gatishmëri të plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore, ende nuk ka asgjë”, kishte deklaruar Gashi në mbledhjen Komunale.
Sipas Gashit, kompania në fjalë kishte marrë pëlqimin më 2018 se nuk ka pengesa në Planin Zhvillimor Komunal. Më pas ka thënë se ka bërë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit dhe e ka marrë pëlqimin mjedisor.
Ndërkaq në përgjigjen e tij, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka thënë se në atë zonë Plani Zhvillimor Komunal nuk lejon ndërtimin.
“Ne e kemi një dokument që është si Kushtetutë. Është Plani Zhvillimor Komunal (PZHK). Është themel i Hartës zonale. Sa i përket fabrikës, para se me ardhë ne, ai e ka pas një aplikim dhe i kemi thënë apliko edhe njëherë se atij aplikimi i ka kaluar afati. Pasi ka aplikuar prapë, ne e kemi bërë një refuzim duke u bazuar në PZHK-në që është në fuqi. Ndërsa PZHK-ja nuk kallëzon a është për zhvillim a jo, por ai thotë, në bazë të PZHK-së ajo zonë (në brezin kufitar v.j.) është jashtë zonës së ndërtimit dhe si të tillë nuk kemi të drejtë ta trajtojmë” – deklaroi ai. /Gazeta Insajderi