×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit – Si i mashtroi i arrestuari Driton Ajeti 400 qytetarë nga Gjilani?

    Insajderi
    28 March 2024 - 22:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pronari i shkollës “AlbShkolla”, biznesmeni, Driton Ajeti është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës. Ndalim i Ajetit dyshohet se u bë pas raportimit të Insajderit, se si ky i fundit i kishte mashtruar 400 punonjës. Fillimisht, duke i joshur me rroga të majme e vetëm pastaj për të ndryshuar fjalët.

    Denoncuesit e Ajetit i thanë Insajderit se ai i kishte mashtruar madje kishte tentuar t’ua merrte nga 100 euro për një trajnim të cilin e ka quajtur obligativ.

    Pretendimi i punonjëseve është se Ajeti, i kishte obliguar ata të mbanin një trajnim për të cilin duhet të paguajnë nga 100 euro secili, dhe në rast se nuk e bëjnë, atëherë do t’ju shkëputej kontrata.

    Rreth 400 persona që ishin punësuar mbizotëronin ata mësimdhënës e pastaj të tjerët si infermierë, jurist e psikolog. Kjo pasi institucioni në fjalë do të pretendonte të vazhdonte edhe me shërbime laboratorike, mjekësore, psikologjike e shumë të tjera.

    Nga premtimi për paga të majme, gjithçka ndryshoi

    Sipas denoncueseve, në ditën kur po bëhej hapja solemne e kësaj shkolle, diçka e pazakontë ndodhi.

    Pronari i Albshkollës Driton Ajeti ua kishte kërkuar nga 10 euro për organizimin e koktejit.

    Një gjë jashtëzakonisht e çuditshme, një projekt i sapo nisur që ua ofron stafit nga 800 euro rrogë e më shumë, të kërkonte nga 10 euro për koktej.

    Kjo nuk ishte e tëra. Një bisedë që ka siguruar Gazeta Insajderi në grupin e viber “Stafi albshkolla” një nga menaxheret ka kërkuar nga personat që ishin në grup t’iu nënshtrohen trajnimeve profesionale të obligueshme për secilin profil të organizuar nga vet kompania. E njëjta ka theksuar se duhet paguar nga 100 euro për trajnim dhe se vetëm ata që e kalojnë do kenë kontratë pune.

    Edhe kjo e çuditshme pasi që punëtorët veçse i kishin nënshkruar kontratat.

    Ndaj saj kishte reaguar Avni Rudaku konsulent për çështje mësimore në këtë institucion. Tutje e dëgjojmë mesazhin e zotit Rudaku.

    “Të nderuar mësimdhënës/e, të nënshkruash kontratë, e pastaj të kërkosh trajnim të kushtëzuar me 100 euro për kontratë, është imorale dhe antiligjore, duke rënë ndesh me Ligjin e Punës, Konventat për të Drejtat e Punëtorëve dhe çdo rregullore tjetër lokalisht dhe universalisht. Çdo kontratë e nënshkruar, bëhet nga pajtimi paraprak mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, dhe hyn në fuqi, duke u mbrojtur nga Kushtetuta e Kosovës, të gjitha ligjet në fuqi dhe Ligji i Punës. Nuk mund të kërcënohet me anulim kontrate të nënshkruar, për një trajnim 100 euro, për rikontratë, sepse është absurde, imorale dhe antiligjore”, deklaronte ai.

    “Çdo kompani në botë, investon në buxhet special për trajnimin e punëtorëve, nga buxheti i kompanisë, e lëre më të kushtëzojë punëtorët me anulim kontrate për trajnim të kushtuar, madje edhe me një paralajmërim ofensiv dhe intensiv, një ditë më parë, duke tejkaluar çdo normë”, tha Rudaku.

    Pas këtij reagimi Rudaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në këtë institucion teksa ka kërkuar që të dhënat e tij personale dhe të punëtorëve tjerë të larguar të fshihen.

    Po ashtu Rudaku ka dal me një qëndrim personal ku ka shfaqur dyshime për skema piramidale në këtë kompani duke thënë se të njëjtit janë angazhuar në futje të sa më shumë punëtoreve në skema e jo me fokus 100 për qind në produkt e shërbim. I njëjti nuk është paguar nga “Albshkolla” edhe pse kontratën e kishte nënshkruar nga 15 janari i këtij viti.

    Një person tjetër që kishte po ashtu kontratë nga kjo datë e që ende nuk është paguar është edhe IT-ja e këtij institucioni. Duke dashtë të mbetët anonim, ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje pasi që ka vërejtur parregullsi nga ana e menaxhmentit.

    Po ashtu ai ka përmendur se punëtorëve iu është kërkuar që të paguajnë me 12 euro për platformën online të shkollës ndërkohë që e njëjta ende nuk ishte lansuar.

    Të njëjtën e ka thënë edhe një ish-punonjëse e kësaj shkolle. Për Insajderin ajo ka treguar edhe arsyet pse dha dorëheqje.

    Ndërkohë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës Albshkolla figuron si DK3N SHPK me kapital prej 10 mijë euro dhe me pronar Driton Ajetin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark