×
  • Lajme
  • Lajme

    Hulumtimi i Insajderit- Trepça përjashton Ekrem Pecin nga puna

    Insajderi
    16 August 2024 - 12:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni Disiplinor i Trepçës ka marrë vendim për Ekrem Pecin, punëtor në ndërmarrjen Trepça. I njëjti është edhe pronar i kafenesë “C’est La Vie” në veri të Mitrovicës. Ky komision ka vërtetuar se Peci ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe për këtë arsye ia kanë ndërprerë marrëdhënien e punës.

    Gazeta Insajderi raportoi se Peci kishte skenuar kartelën për evidentim, por përkundër kësaj nuk ishte prezentë në vendin e punës.

    “Pas mbajtjes së shqyrtimit publik Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 i Rregullores nr.prot. 2906 dt. 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A. Komisioni Disiplinor ka sjellur vendim me nr.prot:4141 të dt. 9.8.2024  dhe ka shqiptuar masën disiplinore: ndërprerja e marrëdhënies së punës për z. E.P”, thuhet në njoftim.

    Sipas një dokumenti të siguruar nga Insajderi i cili edhe ishte proceduar në komision disiplinor, Peci nuk ishte paraqitur në punë nga data 12 korrik deri më 23 korrik. I njëjti nuk ishte evidentuar në regjistrin e nënshkrimeve për hyrje-dalje të punonjësve.

    Ai rezulton të mos ketë dalë në punë gjatë periudhës sa kishte filluar punën lokali i tij ‘C’est La Vie’ në veri të Mitrovicës, pas privatizimit të ish-lokalit famëkeq ‘Dolce Vita’.

    Lokali i biznesmenit Peci u reklamua nga Sveçla, derisa para disa ditësh në media u shpërnda një fotografi duke pirë kafe në “C’est La Vie” teksa po ruhej nga Njësia Speciale në veri të Mitrovicës.

    Insajderi ka arritur të sigurojë dëshmi që tregojnë se Peci është paguar rregullisht nga shoqëria aksionare Trepça, pronar i së cilës është Qeveria e Kosovës. Ai pagën e fundit e ka marrë në qershor, në muajin kur nuk iu kishin ekzekutuar pagat minatorëve. Para syve të shtetit, paga e Pecit del të jetë si primare për të. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark