×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi-Pushteti i Bulliqit aprovon investimin 55 milionësh në tokën e njeriut të Agim Veliut

    Insajderi
    31 March 2022 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një investim i mirë 55 milionësh që garanton punësimin e 300 llapjanëve ishte refuzuar disa herë nga qeverisja e Shpejtim Bulliqit. Nuk dëgjoheshin as lutjet zyrtare të investitorëve drejtuar kryeministrit Albin Kurti. Rrjedhën e ka ndryshuar një takim i dyshimtë tinëz i kryetarit Bulliqi me një ish-drejtor të Agim Veliut. Insajderi sjell hulumtimin, që shpërfaq anën e errët të projektit multimilionësh në Podujevë

    Bujar Hasani, ish-drejtori i urbanizmit kishte përkrahje të fuqishme nga Shpejtim Bulliqi në vitin e parë të qeverisjes për të bllokuar një investim 55 milionë eurosh, të një kompanie gjermano-kosovare.

    Për një vit e gjysmë rresht, Bulliqi e kishte goditur me “bisht sakice” këtë investim që parashihej të punësonte qindra llapjanë. Nuk bënin punë as lutjet e afaristëve drejtuar Liburn Alitu e Albin Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Hasani, shpresonte se do ta kishte përkrahjen e Bulliqit edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Bulliqi e kishte bërë sërish drejtor. Por, diçka kishte ndodhur gjatë fushatës zgjedhore që Hasanin e kishin bërë të parëndësishëm për shefin e tij.

    Bulliqi në fushatë zgjedhore kishte takuar Hamdi Jahën, ish-drejtorin e Agim Veliut. Paraardhësin e Bujar Hasanit në postin e drejtorit të urbanizmit. Jaha nuk kishte interes që ta zëvendësonte Hasanin, por kishte interes të madh për investimin 55 milionësh. Fabrika e reciklimit të mbeturinave parashihet që të ndërtohet në tokën e tij. Jaha e kishte ndihmuar Bulliqin në fushatë duke tradhtuar kështu partinë e tij, LDK-në.

    Pas zgjedhjeve Bulliqi kishte ndryshuar qasjen me investitorët që do të ndërtonin në tokën e Hamdi Jashës, ish-vartësit të Veliut.

    Hasani nuk e kishte bërë të njëjtën. Ishte kategorikisht kundër. Kishte rezistuar deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur e kishte zbuluar se tashmë Bulliqi e kishte ‘tradhtuar’.

    Përveç Hasanit, pengesë Bulliqit i doli edhe me banorët e fshatrave përreth të cilët kanë kundërshtuar ashpër ndërtimin e kësaj fabrike në fshatin Mirovc, shkruan Gazeta Insajderi.

    Historia e projektit 50 milionësh në pronën e njeriut të Agim Veliut

    Kompania gjermane “Soilcos” në bashkëpunim me kompaninë “Erdi R Products”, tash e një vit e gjysmë po tentojnë të nisin punimet për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtërishme në Komunën e Podujevës, projekt ky që parasheh punësimin e mbi 300 punëtorëve.

    Kostoja totale e këtij projekti, është 55 milionë euro.

    Zvarritja e ndërtimit të fabrikës në Mirovc, ishte refuzuar në vazhdimësi nga Shpejtim Bulliqi dhe ish-drejtori për Urbanizëm, Bujar Hasani, i cili insiston se në këtë zonë sipas Planit Zhvillimor Komunal nuk lejohet ndërtimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kompania gjermane, fillimisht kishte aplikuar për leje ndërtimore në nëntor të vitit 2020. Për tre muaj rresht Komuna e Podujevës nuk i kishte dhënë asnjë përgjigje, kurse në fund Shpejtim Bulliqi e njoftoi se kërkohej një aplikim i ri, pasi të parit i kishte përfunduar afati për përgjigje.

    Bulliqi, pas aplikimit e priti në takim investitorin gjerman më 3 mars të vitit të kaluar. Aty, ai i shprehu gatishmërinë e plotë në përkrahjen e projektit sa i përket rregullave administrativ dhe kushteve infrastrukturore.

    U pajtuan që menjëherë të fillohet me procedurat për realizimin e projektit.

    Por vetëm dy muaj pas këtij takimi, Bulliqi refuzoi aplikimin e dytë të investitorëve gjerman, teksa nga faqja zyrtare e komunës u fshi edhe postimi i takimit të marsit.

    Në vendimin refuzues thuhej se “sipas Planit Zhvillimor Komunal kjo zonë është jashtë zonë së ndërtimit ku me çdo kusht duhet të ruhet nga ndërtimi dhe parashihet ruajtja e tokë”

    Kësisoji Bulliq ia mbylli dyert investitorit gjermano-kosovar për të dytën herë radhazi.

    Por, gjithçka ndryshojë në mandatin e dytë të qeverisjes së Shpejtim Bulliqit.

    Në fushatën e zgjedhore, kur Shpejtim Bulliqi pretendonte ta fitonte mandatin e dytë në këtë komunë, kishte takuar ish-drejtorin komunal të Agim Velit, Hamdi Jahën.

    Më 25 gusht, Shpejtim Bulliq kishte takuar një nga figurat të rëndësishme të LDK-së në Podujevë, Hamdi Jahën në një restorant në Podujevë.

    Arsyeja e takimit të tyre mbeti ‘misterioz’, deri në përfundimin e zgjedhjeve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas fitores në zgjedhjet e 17 tetorit, takimi i Bulliqit me Jahën mori kuptim.

    Kompanisë gjermane iu hapën rrugët për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e  mbeturinave në komunën e Podujevës, ndërsa toka në të cilën planifikohet ndërtimi i saj, është në pronësinë e ish-drejtorit të Agim Velit, Hamdi Jahës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vendimi zyrtarë për lejimin e ndërtimin e fabrikës në pronën e Hamdi Jahës, u mor me 3 mars të këtij viti. Në këtë vendim thuhet se komuna e Podujevës ia ka lëshuar kushtet ndërtimore kompanisë gjermane.

    Ani pse një gjë e tillë ishte kundër Planit zhvillimorë të saj. Siç edhe kishte deklaruar publikisht komuna dhe ish-drejtori Bujar Hasani, që u largua nga posti i drejtorit të Urbanizmit.

    Caktimi i kushteve ndërtimore është një nga hapat kryesor drejtë marrjes së lejes së ndërtimit.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Podujevës, për të kuptuar se a ka ndikuar takimi i Bulliqt me Jahën për t’i dhënë dritën jeshile ndërtimin të fabrikës.

    Ata kanë injoruar këtë pyetje të Gazetës. Por lidhur me rastin thanë se trajtimi po bëhet në bazë të ligjeve në fuqi.

    “Sa i përket pronës në momentin që pala ka marrëveshje noteriale, trajtimi bëhet në bazë të ligjeve në fuqi. Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit do të veprojë vetëm sipas bazës ligjore si dhe në koordinim me institucionet relevante”, thuhet në përgjigjet e komunës dhënë Insajderit.

    Komuna nuk ka traguar as çfarë ndryshoi në Planin Zhvillimorë të komunës i cili para shtatë muajsh nuk e lejonte ndërtimin e fabrikës, ndërsa tash po e lejon. Thonë se arsyeja e lëshimit të kushteve ndërtimore vjen nga vendimi i ministrisë së Ambientit të udhëhequr nga Liburin Aliut.

     “Plani zhvillimor komunal është i njëjti siç ka qenë më herët, mirëpo arsyeja e lëshimit të kushteve ndërtimore ka qenë në bazë të dy vendimeve të MMPHI”, thuhet me tej në përgjigjen e tyre.

    Në krejt këtë situate ku të gjitha fjale e premtimet e dhënë kishin ndryshuar, i vetmi që kishte mbetur me të njëtin qëndrim është ish-drejtori i Urbanizmi, Bujar Hasani.

    Hasani në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se ajo zonë është e ndaluar për ndërtimi dhe se vendimet  e Ministrisë së Ambientit mund të refuzohen kur ajo është në kundërshtim me Planin Zhvillimor të komunës.

    “Në atë zonë në bazë të Planit Zhvillimor komunal është jashtë zonës së ndërtimit edhe në bazë të saj ne e kemi lëshuar atë vendim. Në bazë të arsyer që unë e kam lëshuar kurrë nuk është anuluar vendimi jonë, gjithmonë për rreth e rreth janë kapur. Ne kemi drejtë si kuvend komunal me kontestu edhe vendimin e ministrisë, kemi drejte edhe ta dërguar në Gjyq. Ministra kur të anulon duhet të tregojë edhe si lëshohet. Pse me shkel planin zhvillon komunale, ai është kushtetuta e Podujevës”, tha Hasani për Insajderin.

    Kundër vendimit të komunës kanë dal edhe banorët e fshatrave për rreth fshatit Mirovc. Ata kanë dorëzuar madje edhe peticion kundër ndërtimit të fabrikës.

    Shpërfillja e lutjeve të investitorëve drejtuar Kurtit

    Vitin e kaluar kur Shpejtim Bulliqi ia kishte refuzuar projektin kompanisë gjermane “Soilcos”, përfaqësuesi i saj, Siengried Hohmann njoftoi edhe krerët e lartë të shtetit me pengesë që haste me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Në letrën e siguruar nga Gazeta Insajderi, invesitori gjerman i bën lutje kryeminstrit Kurti që të sqarojë situatën rreth lejes së ndërtimit të fabrikës, duke theksuar se kjo i ishte premtuar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    “Kryeministër Kurti, do kërkoja ndihmën e juaj për të qartësuar situatën rreth lejës së ndërtimit. Ne nuk duam të ndërmarrim veprime ligjore, siç na kanë propozuar avokatët tanë, por dëshirojmë të bashkëpunojmë me autoritetet lokale, pasi projekti është për të gjithë hisedarët në zonë dhe në shtet” – shkroi ai.

    Kjo letër e biznesmenit gjerman duke se ka hasur në vesh të shurdhër atëherë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shpejtim Bulliqi e Hamdi Jaha- Si u bënë miq mes vete dy “armiqtë” e dikurshëm?

    Hamdi Jaha i cili në qeverisjen e Agim Veliu e mbante postin e drejtorit të Urbanizmit, i cili pas të ndërrimit të shefit, punët nuk i ecën aq mirë.

    Zëvendëi i Velit në krye të komunës, Nexhmi Rudari e shkarkoi atë nga kjo pozitë në tetor të vitit 2020.

    Siç raportonin media, Jaha akuzohej se nuk po angazhohej aq sa duhet në fushatë, madje që po punonte kundër kandidati të LDK-së për kreun e Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarit.

    Emri i Jahës u kthyer sërish në vëmendjen e publikun në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të viti të kaluar. Në garë ishin kundërshtarët Shpejtim Bulliq dhe Ekrem Hyseni, nga partia e Jahës.

    Pikërisht në këtë kohë Jaha, takohet me kandidatin e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi. Takimi që u mbajt tinëz në gushtë të vitit të kaluar, në një restauron në Podujevë, duke të ketë pasur një rëndësi të veçantë.

    Aty sipas të gjitha gjasave u vendos për projektin e madh 55 milionësh të investitorit gjerman. Do të ndërtohej në tokën e Jahës, siç edhe doli disa muaj pas këtij takimi.  

    Fotografia, e takimit u bënë publike nga mediat. Por kur Shpejtim Bulliqi, u pyet  nëse Jaha i ka ofruar mbështetje atij në kandidaturën për kryetar të Podujevës, atij i ishte dukur “pyetje palidhje” interesimi i mediave për këtë takimi.

    “Mos bo pyetje palidhje. Nuk është punë e juaja me kënd rri unë”, tha kryetari i Podujevës, njëherit kandidati i VV-së për Podujevë në zgjedhjet e 17 tetorit 2021.

    Nga ana tjetër, Hamdi Jaha që dikur konsiderohej edhe njeri i afërt e me ndikim tek ish-kryetari Veliu, akuzohej nga partia e tij LDK se po punon kundër Ekrem Hysenit. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark