Që nga paslufta 116 kosovarë kanë humbur jetën nga minat, ndërsa 454 të tjerë kanë marrë lëndime dhe shumë të tjerë kanë humbur edhe gjymtyrët e trupit. Shteti i Kosovës nuk kujdeset që t’ua sigurojë protezat atyre që pësuan nga shpërthimi i minave.
Protezat kërkohet që çdo katër vjet të ndërrohet, përderisa ata që humbën gjymtyrët e trupit nga minat që nga paslufta i mbajnë ato të vendosura para 16 vjetësh, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndihmën sociale që marrin nga shteti si pension invalidor nuk tejkalon vlerën e 150 eurove e një protezë prej më të thjeshtave kushton hiç më pak se 3500 euro.
Që nga paslufta 116 kosovarë kanë humbur jetën nga minat, 454 kanë marrë lëndime dhe të tjerë kanë humbur gjymtyrët e trupit si: sytë, duart e këmbët.
Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat ka dërguar me dhjetëra kërkesa në adresë të institucioneve të vendit dhe deri më tani nuk janë përkrahur për t’ua mbuluar shpenzimet e protezave.
Në anën tjetër raportohet se në Kosovë ekzistojnë edhe 111 zona të afektuara nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.
Kristë Prenaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka treguar se mban ende protezën e vënë para 16 vjetësh në pamundësi që të vendosë një të re. Ai thotë se çdo katër vjet proteza duhet të ndërrohet.