Humbësit në Drenas – mes vajtimit dhe dilemës së cilin kandidat ta përkrahin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Humbësit në Drenas – mes vajtimit dhe dilemës së cilin kandidat ta përkrahin

    Insajderi
    05 December 2016 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në zgjedhjet e djeshme lokale në Drenas asnjëri prej kandidatëve që ishte në garë nuk arriti t’i marrë mbi 50 për qind të votave që do t’ia mundësonte të shpallej fitues.

    Kjo situatë ka bërë që deri para mbajtjes së balotazhit më 1 janar 2017, PDK dhe Nisma për Kosovën t’i shohin mundësitë e bashkëpunimit me partitë tjera për ta siguruar postin e kryetarit të komunës.

    Megjithatë, kandidatët që e humbën garën ende nuk janë përcaktuar se cilin ta përkrahin.

    Partitë thonë se janë duke e analizuar situatën dhe rezultatet e pamjaftueshme në këtë proces zgjedhor.

    Kandidati i LDK-së, Bedri Nika, i cili dje doli i pesti në listën e kandidatëve, ka thënë për Gazetën Insajderi se partia e tij ende nuk ka qëndrim të prerë.

    Sipas tij, fillimisht do të analizohet krejt situata dhe pastaj do të dalin më qëndrim se cilin kandidat do ta mbështesin.

    “Ne së pari do e bëjmë një analizë të kjart të krejt këtij procesi të 4 dhjetorit, tek pastaj do të dalim me një qëndrim për procesin e ardhshëm që do të jetë balotazhi dhe mbështetja dhe forma e mbështetjes së njërit nga kandidatët”, ka thënë Nika për Insajderin.

    Ai ka lënë të kuptohet se LDK-ja dega në Drenas është e interesuar ta mbështesë ndryshimin e qeverisjes në këtë komunë, duke mos e precizuar se për kë e ka fjalën. Por deri më tani, Komuna e Drenasit është qeverisur nga PDK-ja.

    “Ne jemi të obliguar që të konsultohemi edhe me kryesinë për t’i dhënë mbështetje ndryshimit të qeverisjes në Drenas”, ka shtuar Nika.

    LDK-ja ka koalicion me PDK-në në nivel qendror.

    Kandidati i pavarur, Xhavit Drenori, i cili doli i treti në renditjen e fituesve, i ka thënë Insajderit se ende nuk është i gatshëm të vendosë se cilin kandidat ta përkrahë në balotazh. Xhavit Drenoni më parë ishte pjesë e PDK-së, por kohëve të fundit ai ka funksionuar si asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Drenasit.

    Insajderi ka provuar të  marrë përgjigje edhe nga kandidati i partisë Fjala, Vehbi Berisha, për t’ia marrë qëndrimin e tij, por ende nuk kemi marrë përgjigje.

    Kurse kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR), Elmi Thaqi, çështjen se cilin kandidat do ta përkrahë partia e tij, e ka lënë në dorën e presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

    “Sa i përket ndonjë koalicioni të mundshëm, ende nuk ka kurrfar vendimi se si do të veprojmë por e them me kompetencë të plotë së i takon ekskluzivisht presidentit të partisë z.Behgjet Pacolli që të vendos pas konsultave me kryesine e ngushtë të AKR”, ka shtuar ai në llogarinë e tij në facebook.

    Megjithatë, ai ka shtuar se AKR-ja në Drenas është duke e analizuar situatën pas këtyre rezultateve.

    “Unë dhe ekipi im i AKR-së në Drenas jemi duke analizuar këtë rezultat dhe shkaqet pse AKR nuk ka arritur së paku të futet në balotazh”, ka shkruar më tej Thaqi.

    Dy kandidatët tjerë të pavarur, Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani, ishin tërhequr nga gara por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për decertifikimin e Naim Bazajt në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit. Ata tashmë hapur kanë thënë se e përkrahin kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovcin.

    Në bazë të rezultateve preliminare të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjene (KQZ), dje në Drenas ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, më 45.57 për qind apo 9 mijë e 163 vota. Kurse në pozitën e dytë doli kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, më 26.32 për qind, apo 5 mijë e 293 vota.

    Ky rezultat ka bërë që qytetarët e Drenasit t’u drejtohen edhe njëherë kutive të votimit si mundësi e fundit për t’u bërë me kryetar komune.

    Drenasi u desh të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar dënimin me burg për krime lufte ndaj ish-kryetarit të saj për dy mandate, Nexhat Demaku./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark