Deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, ka kundërshtuar vendimin e grupit të tij për të miratuar në parim projektligjin i cili përjashton veteranët nga rritja e pagës minimale.
Nëse veteranët përjashtohen përfundimisht nga kjo rritje, Humolli në një deklarim për RTV Dukagjini ka paralajmëruar braktisjen e Vetëvendosjes dhe krijimin e një grupi të ri parlamentar.
“Çështja e veteranëve është në proces. Nuk do të jem pjesë e grupit (v.j. nëse veteranët përjashtohen nga rritja e pagës minimale). Do të jem deputet i pavarur, ashtu siç kam qenë në listën e VV-së si i pavarur dhe nuk i bashkohem asnjë grupi politik. Do të shohim mundësinë për të bërë një grup tonin parlamentar”, ka thënë Humolli.
Ai nuk ka pranuar të tregojë se kush tjetër do të mund t’i bashkohej këtij grupi të ri, duke thënë se kjo do të merret vesh ndërkohë.
Megjithatë, Humolli thotë se Qeveria do ta ketë përkrahjen e tij për çështjet që i konsideron të drejta.
Për çështje parimore, Humolli kishte dhënë dorëheqje edhe nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kur pati dhënë dorëheqje, Humolli pati shkruar se “po ndjehet i tradhtuar nga premtimet e pambajtura të Haradinajt dhe AAK-së si dhe nga paqëndrueshmëria e tyre.
Ky ishte shkrimi i plotë i asaj kohe:
Vite më parë Aleancës iu bashkova duke e parë si parti me potencial për të ndryshuar gjërat në vend, duke besuar se ka guximin dhe qëndrueshmërinë e duhur për t’i çuar përpara proceset e mëdha, pashë në të mundësinë e ndikimit tim dhe frymës që unë me rrethin tim përfaqësojmë.
Ishim bashkë kundër keqqeverisjes së vendit, ishim bashkë në formacione të ndryshme opozitare e protestuese, bashkë me shumë qytetarë ishim për kundërshtimin e dy temave më të rëndësishme e më të përfolura viteve të fundit, atë të Asociacionit dhe të Demarkacionit në veçanti.
Lobuam kundër kësaj marrëveshjeje (duke e ditur se sa e dëmshme është) dhe u thirrëm në të edhe gjatë fushatës zgjedhore, premtuam se kjo marrëveshje do të rrezohet në Kuvendin e Republikës dhe se nuk do t’i nënshtrohemi presioneve dhe shantazheve të askujt, pa përjashtime, në ndalimin e kësaj të keqe qe po i kanosej Kosovës.
Premtuam se kufiri do të vendoset në Kullë e në Qakorr, premtuam se do të ketë qeverisje ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani.
Pikërisht për këto veprime dhe premtime që ne i bëmë, sot Aleanca është në krye të Qeverisjes.
Pikërisht për këto premtime të pa mbajtura dhe veprimet e tanishme të Aleancës dhe kryetarit Ramush Haradinaj që janë në kundërshtim direkt me veprimet sa ishim bashkë në opozitë dhe në koalicion me qytetarët e vendit, për shkak të kësaj paqëndrueshmërie politike dhe tjetersimin e partiseë duke u shndërruar në një subjekt labil politik, une sot ndihem i tradhëtuar ashtu siç ndihen shumë votues të AAK-së, e veçanërisht votuesit të cilët i përfaqësoj unë!
Prandaj, me anë të kësaj letre dua të ju njoftoj për dorëheqjen time nga të gjitha pozitat në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Dorëheqja ime është e matur mirë dhe paraqet hapin e fundit të parevokueshëm pas një serë hapash të tjerë, kritikash dhe paralajmerimeve drejtuar kryetarit të Aleancës!