Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi është sonte i ftuar në intervistë në emisionin Context në ATV ku përveç skandalit të përgjimeve ka folur edhe për kompaninë Bageri dhe tenderet me të.
Ai tha se kjo kompani ka fituar shumë më pak në ministrinë e tyre se në të kaluarën.
“Për kompaninë Bageri më vjen keq prej tyre veç sherrin ma kanë pa jo hajrin. Kjo kompani në vitet e fundit deri më 23 mars të vitit 2021 ka marr tendera mbi 30 milionë euro nga minitrsia ndërsa kur kam ardh unë ka fitu 1 milionë”, tha ai.
Durmishi po ashtu ka mohuar se ka punuar në këtë kompani.
“Une nuk kam punuar në këtë kompani janë spekulime”, tha Durmishi në ATV.
Durmishi ka shtuar se i njeh personat e kësaj kompanie sepse është puna që i lidh.
“Nuk e mohoj se e njoh. Une jam inxhinier dhe i njoh inxhinieret që jane pronar firmash. Te ju them të drejtën kompania Bageri ka konkurruar për tenderin 5 milion euro. Për nje lotë të mirëmbajtjes se autostrades. E ka humbur”, ka thënë zëvendësministri Durmishi.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gazeta Insajderi, kishte shkruar ekskluzivisht se si kompania “Bageri” kishte falsifikuar dokumentet e dy gjeodetëve duke i paraqitur sikur punëtorë të tyre për të ftuar tenderë.
Kjo kompani i kishte keqpërdorur të dhënat personale, duke krijuar dy kontrata false me emrat e dy gjeodetëve dhe kishte arritur që të fitojë dy kontrata për asfaltimin e rrugëve.
Një tender e kishte fituar në komunën e Ferizajt me vlerën 2 milionë e 472 mijë euro dhe një në Viti që kapte vlerën e 274 mijë eurove.