
Numri i qytetarëve kosovarë që po marrin pjesë në luftë në Siri ka shkuar në 314, tha ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Hysenit zyrtarisht 57 qytetarë janë deklaruar të vdekur nga luftrat në “Tokën e shenjtë”.
“Sipas të dhënave 314 qytetarë janë në Siri. Sipas shënimeve tona, 70 luftëtarë aktivë nga Kosova janë në Siri dhe Irak. Po ashtu janë 38 individë të gjinisë femërore dhe 27 fëmijë, ndërsa 57 qytetarë të Kosovës janë deklaruar të vdekur”, tha Hyseni transmeton Insajderi.
Hyseni ka thënë se mosha mesatare e këtyre personave është 18-27 vjet, derisa ka edhe të mitur.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se 40 qytetarë ka arritur t’i ndalë Policia para se të shkojnë në Siri e Irak.
Sipas tij policia ka iniciuar hetime për 199 personave, ndërkohë që janë arrestuar 102 persona dhe në deri tani janë dënuar 34 persona.
Gjatë këtij raportimi ministri Hyseni tha se Republika e Kosovës ka shënuar progres të ndjeshëm në aspektin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
“Sot kemi një situatë që flet për një gjendje në kontroll për aq sa është e mundshme për çështjen e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit. Ekstremizmi është fenomen shumë tinëzar, nuk dihet se si dhe ku do të godas”, ka thënë Hyseni. /Insajderi.com