Hyseni: Austria do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Interpol - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hyseni: Austria do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Interpol

    Insajderi
    13 January 2017 - 19:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, është takuar sot me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka.

     

    Ministri Hyseni  theksoi se është  kënaqësi e veçantë që sot të pret në  Republikën e Kosovës, për herë të parë Ministrin e Punëve të Brendshme të Austrisë dhe mikun tij të madh, Sobotka.

    “Me ministrin Sobotka kemi pasur shumë takime, mirëpo ky është takimi ynë i parë në Prishtinë. Si gjithmonë kemi gjetur pajtim të plotë për problemet me të cilat përballen vendet tona, në mënyrë specifike problemet që lidhen me krimin dhe luftimin e fenomeneve të ndryshme transnacionale, që lidhen me nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtarë policor, për të qenë sa më të suksesshëm në adresimin dhe luftimin e krimit ndërkombëtarë”, tha ministri Hyseni, thuhet në kumtesën për media.

    Ministri Hyseni vuri në dukje se ministri  Sobotka dhe Republika e Austrisë e përkrahin plotësisht Republikën e Kosovës, në përpjekjet e saja për të vendosur rend dhe ligj dhe për këtë falënderoi ministrin  Sobotka.

    Ai tha se Kosova dhe Austria  janë partnerë strategjik dhe ky partneritet do të forcohet në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e rendit dhe ligjit dhe bashkëpunimit policor.

    “Austria ka ndihmuar shumë Policinë e Kosovës me programe të ndryshme, MPB-në, Departamentin për Shtetësi Azil dhe Migracion të MPB-së dhe ky bashkëpunim ka dhënë rezultatet e veta. Për dallim nga viti 2015, kur ne kishim mbi 2600 azil kërkues nga Kosova në Austri, në vitin 2016 ky numër është mbi 11 herë më i vogël”, theksoi ministri Hyseni.

    Kreu i MPB’së,  vuri në dukje se ministri Sobotka i ofroi përkrahje Kosovës për anëtarësim në INTERPOL dhe për mekanizmat tjerë të Kosovës për bashkëpunim ndërkombëtar dhe policor.

    “Ishte shume inkurajuese, sidomos duke pasë parasysh problemet që shkaktojnë fqinjët tanë, në rend të parë Republika e Serbisë, me ndonjë flet arrest që lëshohet për qytetarët e Republikës së Kosovës, për figura të mëdha, siç ishte rasti me ish-kryeministrin, z. Ramush Haradinaj. Kjo praktik duhet të ndërpritet, sepse derisa themi që dialogu me Republikën e Serbisë nuk ka alternativë, atëherë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve mund ta dëmtojë në mënyrë të pa riparueshme Serbia me veprimet arbitrare që po i bën në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi ministri Hyseni.

    Në fund të fjalimit ministri Hyseni tha se ka pajtim të plotë me ministrin Sobotkta në luftimin e ekstremizmit, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe me lëndë narkotike dhe në këtë fushë, Kosova ka arritur rezultate mbresëlënëse. Ai tha se Kosova  do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim që të përballet me këto fenomene që shkojnë përtej Republikës së Kosovës.

    Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se  me Republikën e Kosovës, kemi një bashkëpunim të mirë ne aspektin e policisë dhe Republika e Austrisë do të mbështesë nismat e Kosovës  në anëtarësimin në organizata të ndryshme policore, mirëpo edhe sa i përket bashkëpunimit në aspektet  e tjera të sigurisë.

    “Bashkëpunimi me Kosovën në aspektin policor po funksionon shkëlqyeshëm. Është shumë e rëndësishme që në këtë aspekt të bëhet shkëmbimi i të dhënave, në mënyrë  që bashkërisht të luftojmë krimin e organizuar si dy shtete”.

    Ministri i brendshëm austriak theksoi se Republika Kosova është një shtet i ri dhe gëzohemi që nuk është vetëm shtet i ri dhe miqësor, por ka dëshmuar se mund të jetë edhe shtet ligjor, sidomos me angazhimin që po bën Policia e Kosovës. Ai tha se Policia e Kosovës, jo vetëm në nivel të vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare është e gatshme të dëshmohet në luftimin e krimit të  organizuar dhe në parandalimin e krimit.

    “Një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy vendeve tona është edhe luftimi i terrorizmit ndërkombëtarë dhe përgëzojmë Republikën e Kosovës, lidhur me suksesin që ka pasur në nëntor të vitit 2016. Ndërkohë që secili shtet i Evropës, duhet të jetë i vetëdijshëm që mund të jetë cak i një sulmi terrorist”, theksoi ministri Sobotka.

    Në fund ministri Sobota theksoi se është shumë e rëndësishme që të ketë bashkëpunim bilateral mes dy vendeve, kjo është dëshmuar me marrëveshjen për çështjen e azilkërkuesve.

    “Kosova është një vend i sigurt dhe i perspektivës për të gjithë qytetarët që janë kthyer dhe është e rëndësishme që të gjithë në mënyrë aktive të kontribuojnë në zhvillimin dhe rindërtimin e vendit”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Wolfgang Sobotka. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark