
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka postuar një video duke u mburrur se si ka ndihmuar me grante qytetarët. Ai tha se po ndihmon me grante sipërmarrësit e rinj. Por, këto para si duket shkuan të një person që kryetari tashmë veç se e njeh. Bëhet fjalë për Taulant Maliqi, i cili në bazë të dhënave që i ka ngarkuar në “Facebook” del se ishte pjesë e stafit të Komunës. Ndërkohë, Komuna ka heshtur duke mos treguar se sa është shuma e grantit që ka fituar arkitekti që ishte pjesë e Drejtorisë për Shërbime Publike.
Gazeta Insajderi
I pari i Gjilanit, dje (13.03.2025), ka publikuar një video në profilin e tij në “Facebook”, teksa viziton bizneset që komuna i ka dhënë grant.
Ai u përpoq të tregonte se si komuna është afër sipërmarrëseve të rijnë.
“Rinia jonë po na bën krenarë me përkushtimin e tyre në biznes Sipërmarrësit e rinj gjilanas, të cilët kanë përfituar grante nga komuna për të dytën herë janë vizituar për të pare nga afër me punën që bëjnë. Komuna e Gjilanit, për herë të parë në historinë e saj ka ndarë grante për bizneset lokale në vitin 2023, derisa ka vazhduar me ndarjen e granteve edhe në vitin 2024, për të vazhduar edhe sivjet”, thuhet aty.
I pari i Gjilanit, theksoi se me fondin për ndërmarrësit e rinj për dy vjet kanë ndarë 248 mijë euro.
Këto para si duket shkuan edhe për persona që kryetari veç se i njihte.
Taulant Maliqi, që përfitoi grante e që u shfaq në videon e kryetarit, ishte pjesë e Drejtorisë për Shërbime Publike, Infrastrukturë.
Në një foto që ka siguruar Insajderi ai shfaqet pranë kryetarit Hyseni, teksa punojnë në një projekt.
Burime të Insajderit bëjnë me dije se i njëjti kishte pozitën e arkitektit.
Në bazë të dhënave që ai ka në profilin e tij del se ka punuar në Komunë deri vitin e kaluar.
Komuna nuk tregon se sa është shuma e grantit që fitoi Taulant Maliqi
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Gjilanit se kur ka fituar grant ish-arkitekti i Komunës dhe cila është shuma, por komuna ka heshtur.
Njësoj me komunën ka vepruar edhe fituesi i grantit.
Në bazë të videos së postuar nga Hyseni, kuptohet se Taulant Maliqi fitoj grante për biznes në fushën e arkitekturës./Insajderi.org/