Policia e Kosovës tashmë ka disa pista të sigurta hetimi në lidhje me rastet e fundit të sulmeve ndaj pronave publike dhe atyre private të zyrtarëve institucional të Kosovës.
Këto komente i ka bërë Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, pas takimit me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Lorenz Caffier.
Hyseni thekoi se instalimi i dhunës për qëllime politike është e papranueshme, raporton Insajderi.
“Sa i përket akteve të dhunshme kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, ju njoftojë se tashmë Policia ka disa pista të sigurta të hetimit dhe unë në asnjë mënyrë nuk do të nxitojë me çfarë do deklarate të ndërhyjë në çdo hetim hulumtues e profesional”, ka thënë Hyseni.
Në disa javët e fundit, persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me koktej Molotovi prona të anëtarëve të kabinetit qeverisës.
Cak i sulmeve ka qenë shtëpia e kryeministrit Isa Mustafa, veturat e familjarëve të ministrit të Bujqësisë Memli Krasniqi dhe zëvendësministrit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj, si dhe veturat e Ismet Beqirit e Adem Grabovcit.
Rasti i fundit ishte sulmi ndaj zyres së Presidencës së Kosovës që ndodhi të shtunën në orët e para të mëngjesit./Insajderi.com