
Derisa Përparim Rama nxitë qytetarët për të komentuar në rrjete sociale për deklaratat e tij për zgjatje sheshesh, në përpjekje për ta promovuar vetën si inovator, në prapaskenë në Komunën e Prishtinës janë duke ndodhur pazare që nxisin dyshime për korrupsion klasik. Kjo është historia e një tenderi që shpërfaq prapaskenën e vendimmarrjes së dyshuar korruptive të Prishtinës së Përparim Ramës.
Një marrëdhënie e çuditshme mes dy vëllezërve biznesmenë nga Deçani dhe Komunës së Prishtinës është zhvilluar gjatë katër muajve të fundit të 2023’es.
Tri herë është shpallur fituesi i tenderit prej qindra eurosh për furnizim me pelet. Dy herë e ka fituar tenderin kompania DHF e Hysen Jusajt. Dy herë e ka anuluar tenderin OSHP’ja.
Por, Komuna e Prishtinës nuk është dorëzuar. Pas katër muajsh anulime nga OSHP’ja e ka shpallur fitues dikën tjetër. Vëllain e Hysen Jusajt. Hysniun. Ai e ka fituar tenderin me firmën “Bek Fluids”.
“Dyshime për referenca fiktive”
Historia e këtij tenderi nisi në shtator të këtij viti. U bë shpallja e fituesit. Oferta prej 237 mijë e 744 eurosh u vlerësua nga Komuna e Prishtinës si më e favorshmja, në mesin e dymbëdhjetë konkurrentëve. Komuna planifikonte të nënshkruante kontratë me firmën “DHF Company:, të Hysen Jusajt.
Këtë plan ia prishi Organi Shqyrtues i Prokurimit. Pas ankesave të kompanive konkurrenti, eksperti shqyrtues doli me konkludime që firma fituese dyshohet për mashtrime.
“Referenca e tilla ngritin dyshime se janë fiktive dhe kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që t’i rishqyrtoj edhe njëherë dhe konfirmoj vërtetësinë e tyre”, thuhet në ekspertizën e ekspertit shqyrtues.
Po ashtu, aty theksohet se zyra e prokurimit e komunës ishte treguar e sertë me konkurrentët tjerë duke i kërkuar dëshmi shtesë të referencave, ndërsa të njëjtën nuk e kishte bërë në raport me “DHF Company”.
Kjo ekspertizë kishte bërë që tenderi të kthehej në rivlerësim.
Por, Komuna e Prishtinës kishte vepruar sërish njëjtë. Nuk i kishin bërë përshtypje dyshimet e ngritura për referenca fiktive të kompanisë DHF.
Më 16 nëntor të vitit të kaluar kishte shpallur sërish fituese të tenderit kompaninë e njejtë.
Sërish ishte përseritur historia e njejtë. Ishin dorëzuar ankesa në OSHP kundër kompanisë që nuk posedonte dëshmi se ishte marrë në të kaluarën me biznesin e furnizmit me pelet.
Komuna sërish ishte detyruar që ta anulonte vendimin që e shpallte fitues firmën “DHF”.
Ishte vendosur që edhe njëherë të bëhej rivlerësimi i tenderit.
Herën e tretë shpallet fitues vëllai i Hysenit
Pas anulimit të dytë, Zyra e Prokurimit e Prishtinës e kishte kuptuar që nuk mund ta shpallte fitues të tenderit kompaninë e preferuar. E kishte kuptuar që duhej ta shpallte fitues dikënd tjetër prej konkurrentëve.
Por, nuk kishte shkuar shumë larg. Më 5 dhjetor të vitit të kaluar kishte shpallur fitues një kompani të lidhur ngushtë me kompaninë e preferuar. Kishte shpallur fitues kompaninë “Bek Fluids”, në pronësi të vëllait të Hysen Jusajt, pronarit të “DHF Company”.
Kompania që u shpall fitues herën e tretë është në pronësi të Hysni Jusajt. Ankesat kundër tij janë të njëjta. Nuk ka dëshmi se është marrë me biznesin e peletit. Merret me aktivitete krejtësisht të ndryshme. Por, anulimet e disahershme të OSHP’së kanë rezultuar me diçka tjetër.
Komuna e Prishtinës është detyruar që herën e tretë të shpallë fitues ofertën që është më e lirë se sa ajo fillestarja. Oferta e vëllait të Hysenit është 174 mijë e 850 euro, që është me e lirë për afro 63 mijë euro.
/Insajderi