I afërt me ministrin Krasniqi, drejtori i shoqatës që përfitoi 158 mijë euro tash në listën e tij zgjedhore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    I afërt me ministrin Krasniqi, drejtori i shoqatës që përfitoi 158 mijë euro tash në listën e tij zgjedhore

    Insajderi
    19 September 2025 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i “Shoqatës Humanitare Pejane”, Gazmend Polaca, i njohur për afërsinë e tij me ministrin Elbert Krasniqi, në vitin 2023 kishte përfituar 158 mijë euro nga fondet e Ministrisë së Financave. Sot, pas dy viteve, Polaca ka vendosur të kandidojë për asamblist në Pejë nga partia e ministrit Krasniqi, IRDK, duke ngritur dyshime për mbështetjen e tij financiare që ka marrë shoqata e tij dhe përfshirjen e tij në politikë.

    Gazeta Insajderi

    Në vitin 2023, dy shoqata humanitare, njëra nga Peja dhe tjetra nga Klina, kishin përfituar mbi 335 mijë euro nga një fondacion i Qeverisë së Kosovës për financimin e kuzhinave popullore. Bëhej fjalë për “Shoqatën Humanitare Pejane” dhe “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit”.

    Në media ishte raportuar se këto dy shoqata udhëhiqeshin nga persona të afërt me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe partinë e tij.

    Shoqata Humanitare Pejane”, e drejtuar nga Gazmend Polaca, një njeri i njohur për afërsinë e tij me ministrin Krasniqi dhe funksionarë të tjerë të IRDK-së, kishte përfituar 158 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për kuzhinat popullore. Vetë Polaca kishte deklaruar se gjatë vitit 2023 shoqata e tij kishte përfituar 71 mijë euro, ndërsa një vit më parë 87 mijë euro, duke e çuar shumën në total në 158 mijë euro.

    “Po, gjatë këtij viti kemi përfituar 71 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar kemi përfituar 87 mijë. Elbertin e kam pas shok, dhe vazhdoj me pas shok, por nuk ka qenë kjo arsyeja e përfitimit”, kishte thënë Polaca për Paparacin.

    Në atë kohë, ai nuk e kishte mohuar afërsinë e tij shoqërore me ministrin, madje në publik ishin shpërndarë edhe fotografi të përbashkëta mes tyre.

    Megjithatë, Polaca kishte hedhur poshtë çdo pretendim për ndikim të Krasniqit në procedurat e përfitimit të fondeve nga qeveria.

    Ai kishte komentuar edhe për logot dhe mbishkrimet e IRDK-së që gjendeshin në zyrat e shoqatës.

    “Po, ajo ka qenë zyra e IRDK-së, por në momentin kur e kanë lëshuar ata, ne e kemi marrë me qira”, kishte shpjeguar ai.

    Dy vite pas këtyre përfitimeve, Gazmend Polaca ka vendosur të kandidojë për asamblist në Pejë, nga partia e ministrit Krasniqi, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.

    Ai figuron në listë me numrin 10.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Polacën, i cili ka konfirmuar kandidimin, duke e arsyetuar me problemet e lagjes së tij.

    Po, jam në listë sepse lagjen tonë nuk e mbikëqyr askush. Arsyeja pse kam kandiduar tash në këtë listë është kjo, vetëm shikoni mbeturinat dhe fëmijët e komunitetit egjiptian në këtë lagje, se si jetojnë”, ka deklaruar ai.

    Sa i përket fondeve, Polaca ka thënë se përfitimet nuk kanë qenë rezultat i ndikimit të Krasniqit, por se shoqata ka aplikuar dhe është mbështetur nga ministri Murati për familjet me raste sociale dhe veteranë. Insajderi.org





    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark