Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri i ktheu SPAK-ut dosjen ndaj mjekut Edvin Prifti për plotësim hetimesh.
Gjyqtarja Elsa Ulliri i ka dhënë dy muaj afat kohor prokurorit Sotir Kllapi, të plotësojë dosjen e më pas të ribëjë kërkesën për kalimin e saj për gjykim. Vendimi u mor në seancën e kësaj të marte e cila zgjati më shume se dy orë.
Në muajin shkurt të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO për Edvin Priftin, për të cilin janë ngritur katër akuza, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.
Kujtojmë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitime të parregullta në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar 256.800 euro, 7.600 dollarë amerikanë dhe 15.435.000 lekë.
Shuma të konsiderueshme parash nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK dyshon se këto para janë produkt i veprimtarisë së jashtëligjshme të mjekut.
SPAK bën me dije se ka sekuestruar gjithashtu gjashtë llogari bankare të mjekut, me shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë.
Shumat totale e parave të sekuestruara gjatë hetimit paraprak është 434 319 euro, 67 914 368 lekë, si dhe 7 600 USD.
Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore. /euronews.al