
Sot bëhen 24 vjet nga dita kur Sllobodan Millosheviq, ish-presidenti i Serbisë, i njohur si “kasapi i Ballkanit”, u dorëzua në Gjykatën e Hagës. Më 28 qershor 2001, ai u ekstradua me vendim të qeverisë serbe, pasi ishte shpallur i akuzuar për krime lufte në Kosovë që nga maji i vitit 1999. Më pas, aktakuzat ndaj tij u zgjeruan edhe për krime në Kroaci dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë.
Millosheviqi ishte arrestuar më 1 prill 2001 në Beograd, pas një përplasjeje të armatosur që zgjati 36 orë mes policisë dhe truprojave të tij. Ai akuzohej për përgjegjësi në vdekjen e dhjetëra mijëra civilëve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Gjykimi në Hagë filloi më 12 shkurt 2002 dhe zgjati me vite, për shkak të ndërlikimeve të shumta. Dëshmitë për krimet në Kosovë, Kroaci dhe gjenocidin në Bosnjë u paraqitën deri në shkurt 2004, ndërsa Millosheviqi nisi mbrojtjen e tij në gusht të atij viti. Procesi shpesh u ndërpre për shkak të problemeve të tij shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe tensionin e lartë, që e pengonin të merrte pjesë në gjyq.
Më 11 mars 2006, Millosheviqi u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë, pa arritur të përfundojë procesi gjyqësor kundër tij.