I akuzuari e pranon, nuk i deponoi në bankë mbi 3 mijë euro të Gazetës “Kosova Sot”, por i shpenzoi në lojëra të fatit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    I akuzuari e pranon, nuk i deponoi në bankë mbi 3 mijë euro të Gazetës “Kosova Sot”, por i shpenzoi në lojëra të fatit

    Insajderi
    08 December 2021 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    I akuzuari Pjeter Bala, të mërkurën në seancën fillestare ka pranuar fajësinë, se në cilësinë e punëtorit për përkujdesje të interesave pronësore të personit tjetër, në Gazetën “Kosova Sot”, nuk ka deponuar paratë në vlerë prej 3 mijë e 375 euro, në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), por i ka shpenzuar për lojëra fati.

    Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari Bala deklaroi se e ndjen veten fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “E ndjej veten fajtor, ndjej keqardhje dhe i kërkoj falje gjykatës dhe i premtoj se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të kryej vepra tjera penale dhe kam tentuar t’i kërkoj falje palës së dëmtuar, mirëpo të njëjtit nuk më janë lajmëruar”, tha i akuzuari Bala.

    Tutje, i njëjti shtoi se është i papunë dhe kërkoi nga gjykata që t’i shqiptojë një dënim më të butë.

    Ky pranim i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk u kundërshtua nga prokurori Blerim Igrishta, të cilin më pas e aprovoi gjykatësi Eroll Gashi.

    Sipas aktakuzës së ngritur në shkurt të 2017-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Pjeter Bala, po akuzohet për “Keqpërdorim të besimit”.

    Në aktin akuzues thuhet se Bala më 18 mars 2016, gjatë përfaqësimit të interesave pronësore të personit tjetër dhe me qëllim që vetes ose personit tjetër t’i sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, derisa ishte në orarin e punës në selinë e Gazetës “Kosova Sot”, i akuzuari ka pranuar para kesh prej 3 mijë e 375 euro, i cili ka qenë i obliguar t’i deponojë në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), në xhirollogarinë e tani të dëmtuarës, Gazetës “Kosova Sot”.

    Por, aktakuza thotë se i njëjti gjatë rrugës duke shkuar në BKT, është ndalur në lokalin e lojërave të fatit ku edhe i ka shpenzuar këto para, me ç’rast i ka shkaktuar dëm material, Gazetës “Kosova Sot”.

    Me ketë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i besimit”, nga neni 342, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim tre muaj deri në tri vite.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark