×
  • Lajme
  • Analiza

    I arratisur nga qendra në Lipjan, trafikim me njerëz- Ky është 23-vjeçari që u ekstradua nga Shqipëria në Kosovë

    Insajderi
    25 April 2024 - 16:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Riad Sopjani, 23-vjeçar, është një nga dy kosovarët që u ekstradua në Kosovë nga Shqipëria. Ai ishte kapur nga Policia e Shtetit në Shqipëri para dy vite e gjysmë në operacionin “Arratisja”, pasi Sopjani ishte arratisur nga Qendra e Riedukimit në Lipjan. Ai ishte i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim me qenie njerëzore. Ndaj tij kishte tri urdhëresa nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Policia e Shtetit përgjatë së enjtes bëri të ditur se Interpol Tirana ekstradoi Sopjanin në Kosovë, i cili kërkohej nga ILECU’ja për armëmbajtje pa leje dhe grabitje, si dhe kishte tre urdhra të Gjykatës Themelore në Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “R. S., 23 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga ILECU, Kosovë, për armëmbajtje pa leje dhe grabitje, si dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arrestuar në Durrës, në muajin nëntor 2021, gjatë operacionit policor të koduar “Arratia””, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Shqipëria ekstradoi në Kosovë edhe B.S., i cili dyshohet se ka vjedhur një automjet të institucioneve zyrtare të Kosovës dhe ka tentuar ta trafikojë në Shqipëri.

    “-B. S., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga ILECU, pasi më datë 16.08.2022, ka vjedhur automjetin e një institucioni shtetëror në Prishtinë dhe ka tentuar ta trafikojë në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë Morinë”.

    Riad Sopjani, emër i njohur për drejtësinë kosovare

    Riad Sopjani bashkë me një të dënuar tjetër ishin arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit ku dërgohen të miturit për riedukim. Ai ishte i dënuar për veprën penale “Grabitja”.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sonte rreth orës 17:35, të miturit , R. S, viti i lindjes 2001 dhe A.K viti i lindjes 2003  janë arratisur nga Qendra Korrektuese Lipjan. R. S , ishte i dënuar me një vit  për veprën penale; Grabitje.  A.K, ishte i dënuar me një vit  për veprën penale; Lëndim i rëndë trupor.   Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa SHKK ka themeluar Komision Hetimor për të hetuar se si ka ardhur deri te arratisja”, thuhej në një komunikatë të Shërbimit Korrektues të Kosovës të datës 28 tetor 2020.

    Gjykata Themelore në Gjilan më 2019-ën e kishte dënuar atë për veprat penale vjedhje e rëndë, vjedhje, dhe vjedhje në tentativë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhej se pandehurit Riad Sopjani dhe Florian Mitev, në bashkëveprim në rrugën ”Mulla Idrizi” në Gjilan kanë kryer vjedhje të rëndë në shitoren e të dëmtuarit B.S. nga Gjilani ashtu që i shkaktojnë dëm në vlerë prej 240 euro.

    Policia e Kosovës kur e kishte shpallur në kërkim, e kishte ndërlidhur emrin e tij më rastet e disa grabitjeve që ndodhnin në Prishtinë më 2020-ën.

    Policia e Shqipërisë e arrestonte Riad Sopjanin në nëntor të 2021-ës në Durrës, në një banesë ku po qëndronte. Atij iu kishin kapur edhe narkotikë, ndërsa përmendej edhe për trafikim me qenie njerëzore.

    “Operacioni i policisë “arratisje” ka bërë të mundur arrestimin e një 20-vjeçari nga Prishtina. Riad Sopjani është arrestuar nga policia në Durrës, me qëllim ekstradimi në Kosovë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të ndryshme penale. Riad Sopjani ishte dënuar më parë në Kosovë për grabitje, vjedhje dhe trafikim me qenie njerëzore dhe ishte arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit në tetor të vitit 2020, pa u kapur nga Policia e Kosovës”, thuhej në njoftimin e policisë shqiptare.

    “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai qëndronte në Durrës u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis sativa. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është në kërkim vendor në Kosovë dhe me tre urdhërarreste të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark