Ish-zyrtari policor nga Peja, Skender Arifaj, ishte në mesin e të arrestuarve, të dyshuar për posedim dhe transportim të substancave narkotike. Ndaj tij sot është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Arifaj më herët ishte arrestuar edhe për bixhoz të paligjshëm në Pejë.
Insajderi raportoi ekskluzivisht lidhur me operacionin e Njësitit të Anti-Drogës për arrestimin e tre personave në rajonin e Prishtinës para disa ditësh. Të arrestuar për këtë rast ishin Lirim Hakaj, Enver Hajdari dhe Skender Arifaj.
Insajderi merr vesh se Arifaj ka qenë zyrtar policor deri në fund të vitit të kaluar.
Në korrik të 2022-ës, Inspektorati Policor i Kosovës zhvilloi operacion për organizim të skemave piramiadle dhe bixhoz të paligjshëm në Pejë. Të arrestuar mbetën Skender Arifaj dhe gjashtë qytetarë të tjerë.
Arrestimet erdhën pas hetimeve disamujore, prej kur IPK mori informacionin se zyrtari policor dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Për çka dyshohet ish-zyrtari policor me shokë?
Lirim Hakaj, Skender Arifaj dhe Enver Hajdari gjenden në paraburgim si të dyshuar për posedim dhe transportim të substancave narkotike. Dosja e Prokurorisë thotë se përmes një marrëveshje paraprake, ata transportuan drogë nga Peja për në Fushë Kosovë.
Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, ku tregohet se si i pandehuri Enver Hajdari është kapur me qese najloni me substanca narkotike në sasi prej afro 20 kilogramëve.
“Të pandehurit Enver Hajdari, Lirim Hakaj, dhe Skender Arifaj, në bashkëkryerje, pa autorizim me qëllim për shitje, kanë poseduar, transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur në ligj si narkotike, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që, pas marrëveshjes paraprake që substancat narkotike të transportohen nga Peja për në Fushë Kosovë, të pandehurit Lirim dhe Skender Arifaj, me veturën Audi, pasi i kanë ngarkuar narkotiket në veturën Golf 6, e marrë me qera, e që drejtonte i pandehuri Enver Hajdari, e kanë shoqëruar prej Pejë për në Fushë Kosovë, saktësisht në pompën e derivateve ‘HIB””, thotë dosja.
“…ashtu që, më datë 08.10.2024 rreth orës 13:00, me të arritur në Fushë Kosovë, në rrugën e ‘Pejës saktësisht në Motelin ‘Villa X” në dhomën nr. 4, ku ishte duke qëndruar i pandehuri Enver Hajdari, policia kanë gjetur katër thasë të bardhë të mbushur me qese najloni të dyshuar me narkotik me peshë 19kg e 980gram, të cilat janë sekuestruar përkohësisht përmes vërtetimit mbi sekuestrimin e sendeve nga policia”, vijon dosja e Prokurorisë.
Me këtë të pandehurit Lirim Hakaj, Skender Arifaj dhe Enver Hajdari, në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale; Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge.
Në dosjen e Prokurorisë po ashtu njoftohet se tek shtëpia e të pandehurit Skender Arifaj i janë sekuestruar afro pesë kilogramë të llojit marihuanë.
“I pandehuri Skender Arifaj, pa autorizim me qëllim për shitje, kanë poseduar, transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur në ligj si narkotike, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që, më datë 08.10.2024 rreth orës 15:10min, policia SQHN-Prishtinë, gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, në fshatin Kaliqan të Komunës së Istogut, i kanë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht nëntë (9) paketime (qese najloni të tejdukshme) të mbushura me substanca të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë, një (1) thes letre me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë dhe një (1) qese e vogël me substancë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4.994 gram (4kg e 994gram) një peshore digjitale dhe një DVR “HIKVISION”“.
Për arrestimin e tre të dyshuarve ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Rasti i parë i koduar “Pritja” i hetuar nga sektori qendror i policisë, është realizuar në katër lokacione të ndryshme i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej mbi 25 kg, substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe arrestimin e tre personave të dyshuar (shtetas kosovarë).
Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona celular. Vlera e substancës narkotike arrin shumën prej mbi 45 000 euro”, u tha në njoftimin e policisë, teksa shtohet se një pjesë e drogës kishte destinim tregun vendor derisa pjesa tjetër tregun e jashtëm. /Insajderi.org/