×
  • Lajme
  • Insajderi

    I arrestuari Bedri Halimi ishte i akuzuar për korrupsion edhe në rastin “Prevalla”

    Insajderi
    06 January 2022 - 13:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtatë persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në aksionin “Brezovica” që po zhvillohet në 10 lokacione të ndryshme.

    Dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së udhëhequr nga Liburn Aliu. Bëhet fjalë për Bedri Halimi dhe Mustafë Hyseni të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

    Por, Bedri Halimi nuk është hera e parë që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më 18 nëntor të viti 2019 Bedri Halimi akuzohej se si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kishte lejuar ndërtime pa leje në Prevallë.

    Halimi së bashku me katër inspektorë të tjera thuhet se me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për Ndërtim dhe se për qëllim kanë pasur që pronarët e objekteve të përfitojnë vlerën prej minimum 10,500.00 euro, 

    Duke mos bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë viteve kishin lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi, duke reaguar vetëm në disa raste.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale thuhet se Halimi duke punuar si kryeinspektor kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2013 me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda planit rregullues në Parkun Nacional.

    Në këtë aktakuze thuhet se Halimi edhe pse kishte hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e kishte përmbushur.

    Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.

    Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.

    Por, me 17 maj Bedri Halimi së bashku me 4 inspektorë të tjerë ishin liruar nga akuzat për korrupsion./Insajderi.org

    Lexo edhe;

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark