Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjilan. Atij i është bastisur shtëpia dhe i janë gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve, shkruan Insajderi.
Në njoftimin e policisë bëhet me dije se janë sekuestruar rreth 632 gramë substancë e dyshuar e narkotikëve e llojit marihuanë.
Ai po dyshohet për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftimit të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, pas një pune
hetimore dhe operative në terren, me datën 07.11.2024 në Gjilan, pas sigurimit të dëshmive dhe
urdhëresës për bastisje, ka realizuar një kontroll/bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të
dyshuarit mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka bërë shitblerjen e substancave narkotike në qytetin e
Gjilanit”, thuhet në njoftim.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar, në cilësi të provave
materiale, janë gjetur dhe janë sekuestruar rreth 632 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit
marihuanë, të ndarë për shitje, si dhe një peshore për matjen e narkotikëve”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Në konsultim me prokurorin e shtetit nga prokuroria kompetente, të dyshuarit i është caktuar masa e
ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti i cilësuar ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e
paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, i sanksionuar sipas nenit 267 të
KPRK-së, procedohet tutje për procedurat e mëtejme”.