
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Arb Shalës, i dyshuar për tentim-vrasje ndaj Lirim Nikqit, ngjarje e ndodhur më 12 shtator në Pejë.
Në aktvendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Shala dyshohet për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” sipas nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366.
Shala, u ndalua nga policia më 12 shtator, rreth orës 23:50, ndërsa sot gjykata vendosi që ndaj tij të caktohet paraburgimi deri më 11 tetor 2025.
Seanca dëgjimore u mbajt më 14 shtator, ku prokurori i rastit, Ersan Qavolli, kërkoi paraburgimin, kërkesë që u pranua nga gjykata. Shala u përfaqësua nga avokati Veton Berisha.
Viktima Lirim Nikqi, i ka mbijetuar plagëve dhe është në spital për momentin, ndërsa nuk dihen detaje të tjera për gjendjen e tij.
Ngjarja tronditi qytetin e Pejës më 12 shtator, kur Shala dyshohet se plagosi Nikqin në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Prokuroria dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve.