
Është arrestuar në Tiranë kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i dënuar me 18 vjet burgim.
Policia e shqiptare njofton se 59- vjeçari u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën “Tiranë–Elbasan”.
“Si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi:-Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.
“Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale”, njofton policia.
59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.