Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar një shtetas turk, A.P. i vitit të lindjes 1962, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpol të lëshuar nga autoritetet turke.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh nga burime brenda Policisë së Kosovës se A.P. është i dënuar me 14 vite burg për pedofili.
Sipas këtyre burimeve, ai për një kohë është fshehur në qytetin e Pejës.
Policia nëpërmjet një njoftimi zyrtar të martën bëri të ditur për arrestimin e tij.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka vazhduar me sukses kryerjen e detyrave ligjore në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor me shtetet tjera, ku gjatë ditës së sotme pas një pune operativo-hetimore e ka arrestuar shtetasin turk A.P (viti I lindjes 1962), i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpol nga ana e autoriteteve turke, dhe i dënuar me mbi 14 vite burgim”, u tha në njoftim. /Insajderi.org/