Petar Petkoviq zëvendësoi Marko Gjuriqin në postin e drejtorit të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.
Petkoviq u emërua shef i “zyrës” sepse Gjuriq, u shkarkua nga kjo pozitë për ta marrë detyrën e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, raporton Nova.rs.
Petkoviq është zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, dhe që nga viti 2016 ai ka kryer funksionin e ndihmësit të Gjuriqit.
Ai u diplomua në Fakultetin Teologjik Ortodoks në Universitetin e Beogradit dhe Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Pas zgjedhjeve të vitit 2012, ai u zgjodh deputet në listën e Partisë Demokratike të Serbisë.
Në tetor të vitit 2014, Petkoviq u largua nga PDS, vetëm një ditë pasi themeluesi dhe udhëheqësi i saj i vjetër Vojislav Koshtunica u largua nga partia./Insajderi.org.