Policia e Kosovës ka arrestuar përgjatë ditës së djeshme Muharrem Qerimin dhe Bedri Shabanin, të dyshuar për spiunazh. Gjegjësisht bashkëpunim me BIA’n serbe. Kjo u realizua pas një operacionit të përbashkët në mes të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Policisë, shkruan Insajderi.
Bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.
Sipas informacioneve të Express brenda institucioneve të sigurisë, Shabani e Qerimi dyshohet se përgjatë viteve kishin pasur për detyrë që të kontaminonin luftën e UÇK-së, të përkrahnin propagandën serbe se Masakra e Reçakut ka qenë improvizim e gjithashtu Bedri Shabani kishte provuar që të shpikte një “Shtëpi të Verdhë” diku në një fshat të Reçakut ku kishte qenë një spital ushtarak i UÇK-së.
Kohëve të fundit, Shabani e Qerimi dyshohet se kishin provuar të inskenonin edhe një konflikt ndër-etnik në Kosovë, duke bërë që të binin nën radarin e institucioneve të sigurisë së vendit. Për të dy, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Por çfarë dihet për Bedri Shabanin, njërin nga të arrestuarit?
Përveç arkivave të mediave vendore, emri i Bedri Shabanit figuron edhe në media të huaja, siç është edhe gazeta gjermane “Spiegel”. Në këtë shkrim të këtij mediumi, ku flitet për Kosovën e pasluftës dhe ngjarjet që i karakterizonin ato vite, Bedri Shabani flet për “shqetësimin e tij” për rritje të shpejt të krimit në Kosovën e atyre viteve.
Madje Shabani, i cili atë kohë ishte larguar nga pozita që mbante në Doganën e Kosovës s’kishte ngurruar që ta krahasonte Kosovën me Kolumbinë.
“Mirësevini në Kolumbi”, kishe qenë shprehja e Shabanit.
“Një tjetër shqetësim është rritja e shpejt e krimit. Bedri Shabani, ish-kreu i doganave për të luftuar kontrabandën, nuk është i vetëm në deklarimin se Kosova tani është qendër e trafikut të drogës. Ai beson se të paktën dy buxhete të Kosovës humben në tregun e zi të cigareve, kafes, vajit dhe benzinës. Pika të reja e ultramoderne të karburanteve po mbijnë në gjithë vendin, ne gjitha rrugët në çdo 100 hapa”, shkruante gazeta “Spiegel” më 18 tetor 2004.
Në këtë bisedë të tij me gazetën gjermane, Shabani kishte treguar se si i kishte ofruar UNMIK-ut informacione për rrugët e kontrabandës, duke treguar se si pasojë e kishte humbur edhe punën ne Doganë. Pas rikthimit të tij në punë, Spiegel shkruan se Shabani ishte sjellë me fjalë më irrituese, duke krahasuar Kosovën me Kolumbinë.
I kthyer në pozicionin e tij në doganë, ai tani përshëndet mysafirët e tij me fjalët e hidhura “mirë se erdhe në Kolumbi””, shkruhet në tekstin e Spiegel.
Këto fjalë të Shabanit janë përfshirë edhe në librin e Helmut Kramer dhe Vedran Dzihic “Bilanci i Kosovës: a po dështon bashkësia ndërkombëtare?”.
Largimi i Bedri Shabanit nga Dogana dhe historia e letrave për Kofi Anan
Në një raportim të mediave në Kosovë në vitin 2004, ishte publikuar sqarimi i Doganës së Kosovës që menaxhohej nga UMMIK për largimin e Bedri Shabanit nga puna. Aty thuhej se Shabani kishte dhënë një deklaratë të pa-autorizuar për një televizion francez dhe se i kishte dërguar letër Kofi Ananit .
Shabani kishte mohuar se kishte dhënë intervistë për ndonjë televizion francez, kurse për akuzën e dytë, kishte thënë se Kofi Ananit i kishte shkruar disa herë, meqë sipas Shabanit, Mihael Shtajner s’po punonte për të luftuar klrimin dhe kontrabandën,
“Sa i përket letrës, Kofi Ananit i jam drejtuar jo vetëm një herë, por edhe herave tjera për një pasqyrë të shkurtër se çka ndodhë me Doganant e UNMIK-ut. Në letrën e fundit, është pak me rëndësi se këtu kam përfshirë edhe punën e Mihael Shtajnerit, i cili ka qenë thuajse i involvuar pasi që nuk ka ndërmarrë asgjë për ndërprerjen e krimit të organizuar dhe ndërprerjen e kontrabandës me cigare dhe narkotikë në Kosovë”, kishte thënë Bedri Shabani.
Bedri Shabani më 14 maj 2002 kishte drejtuar akuza për vendorët e ndërkombëtarët se ishin implikuar në krim të organizuar, gjë për të cilën edhe ishte suspenduar nga puna. Më pas ishte rikthyer në punë.
Shabani thoshte se të gjithë këto i ka bërë për interes të popullit të Kosovës dhe kishte thënë se kërkon ndihmë nga institucionet.
“Tash është koha që, me një fjalë edhe kryeministri i Kosovës të më jepë ndihmë se unë nuk jam duke bërë punë për vehte por për popullin shqiptar. Ne në Evropë nuk mund të shkojmë me krim të organizuar por duke e luftuar”, kishte deklaruar mes tjerash Shabani.
Shabani i cili sot është i dyshuar për spiunazh, kishte deklaruar se një pjesë e vendorëve dhe ndërkombëtarëve ishin të implikuar në krim të organizuar dhe se buxheti i Kosovës po dëmtohej më të madhe.
Si e definohet spiunazhi në Kodin Penal dhe cilat janë dënimet?
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre. Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.
Ky nen në paragrafet e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:
– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;
– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;
– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.
Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin