Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin F.I., në lidhje me sulmin ndaj katër personave me thikë në qytetin e Ferizajt.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj F.I., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”.
“I dyshuari ka tentuar t`i privoj nga jeta fëmijët të moshës 10 vjeçare dhe 14 vjeçare pjesëtarë të komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuara kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat dërgohen në Qendrën Emergjente në Ferizaj, kurse e mitura 10 vjeçare transferohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa e mitura 14 vjeçare lirohet për në shtëpi.”
Po ashtu Gjykata thotë se “ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën “E.T.” në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.Sh., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në një kafiteri, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, të cilit i shkaktoi lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj e pastaj në QKUK në Prishtinë, ku është duke u trajtuar”
Më tutje Gjykata ka treguar se si ka ndodhur edhe rasti i katërt.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë të njëjtë, në rrugën “H.S.” në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A., pjesëtarë i komunitetit RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë, i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore lirohet për në shtëpi.”