I emëruar nga Albin Kurti, për çka u arrestua Kryeinspektori? Insajderi sjell dosjen - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    I emëruar nga Albin Kurti, për çka u arrestua Kryeinspektori? Insajderi sjell dosjen

    Insajderi
    28 February 2025 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, i emëruar nga Qeveria Kurti, së bashku me Naim Shalakun, ushtrues i detyrës së Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, janë arrestuar më 27 shkurt nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të të drejtave të punës dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë.

    Prokuroria pretendon se Nikçi ka kryer disa veprime të paligjshme, përfshirë transferimin e punonjësve në kundërshtim me ligjin dhe anulimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

    Gazeta Insajderi ju sjell dosjen e përpiluar nga prokurori i rastit, Arianit Salihu.

    Prokuroria ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror të Punës së Kosovës, Hekuran Nikçi, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës.

    Sipas dosjes së Prokurorisë Nikçi dyshohet se më 9 tetor 2024 ka shfrytëzuar pozitën e tij për të marrë vendime të kundërligjshme, duke e transferuar një punonjës në kundërshtim me rregulloret për shërbimin civil.

    Po ashtu, më 24 dhjetor 2024, ai ka anuluar një vendim të zëvendësit të tij, në kundërshtim me aktet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Prokuroria pretendon gjithashtu se më 26 dhjetor 2024, Nikçi ka autorizuar përdorimin e paligjshëm të pasurisë së institucionit, duke anuluar vendime të mëparshme në kundërshtim me ligjin.

    Në kallëzimin penal të datës 08.11.2024, që më pas është marrë në kompetencë nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 16.12.2024, thuhet se Nikçi ka nxjerrë vendime të kundërligjshme me qëllim të dëmtimit të disa punonjësve të Inspektoratit të Punës.

    Përveç tij, Prokuroria ka ngritur dyshime edhe ndaj Naim Shalakut, U.D. Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, dhe disa zyrtarëve të tjerë, të cilët akuzohen për veprime të paligjshme në lidhje me vendime administrative që kanë shkaktuar dëm ndaj punonjësve të institucionit.

    Prokuroria thotë se Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar në Inspektoratin e Punës, duke marrë vendime të kundërligjshme që kanë dëmtuar punonjës të këtij institucioni.

    Për Hekuran Nikçin, Prokuroria pretendon se: më 26.12.2024, ai ka urdhëruar dorëzimin e vulës zyrtare dhe dokumentacionit të institucionit, bazuar në një vendim të nxjerrë nga zëvendësi i tij, i cili sipas ligjit nuk kishte efekt juridik.

    Me këtë veprim, Nikçi akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë sipas nenit 420 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Po ashtu, më 20.12.2024, Nikçi ka nisur një procedurë disiplinore ndaj një punonjësi, F.K, duke e bërë këtë jashtë afatit ligjor, gjë që sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim të dëmtimit të tij.

    Për këtë arsye, ai akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 414, paragrafi 1 të KPRK-së.

    Për Naim Shalakun, Prokuroria pretendon se: Më 13.11.2024, në cilësinë e U.D. Menaxherit për Burimet Njerëzore, ai ka nxjerrë një vendim për pezullimin nga puna të një punonjësi, N.F, me arsyetimin se do të kompensohej 50% gjatë pezullimit.

    Sipas Prokurorisë, Shalaku e ka ditur që ky vendim ishte i kundërligjshëm, pasi nuk ishte pritur afati për shqyrtimin e ankesës dhe akti administrativ nuk ishte bërë ende ekzekutiv.

    Ky veprim është cilësuar si shkelje e nenit 143, paragrafi 2 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, që ndalon ekzekutimin e një akti administrativ nëse nuk është shqyrtuar ankesa paraprakisht.

    Me këtë, ai ka shkaktuar dëm material ndaj të dëmtuarit.

    Prokuroria akuzon Naim Shalakun për veprime të tjera të kundërligjshme në dy raste specifike: moszbatimi i vendimit për rikthimin në punë të Nexhat Fazliut.

    Më 16.02.2025 e tutje, Naim Shalaku, në cilësinë e U.D. Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin dhe Burimet Njerëzore, nuk ka zbatuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili më 29.01.2025 kishte shfuqizuar vendimin për pezullimin e Nexhat Fazliut dhe kishte urdhëruar rikthimin e tij në punë.

    Sipas Prokurorisë, ai ka pasur për obligim të ekzekutojë këtë vendim brenda afatit prej 15 ditësh, por nuk e ka bërë këtë, duke ia mohuar të dëmtuarit të drejtën për rikthim në punë dhe kompensim të pagave.

    Për këtë veprim, ai akuzohet për cenim të të drejtave nga marrëdhënia e punës, sipas nenit 218 të KPRK-së, lidhur me nenin 77. 2.

    Keqpërdorimi i pozitës për të dëmtuar F.K

    Më 21.02.2025, së bashku me Pashk Vuksanin dhe Fitim Dedinën (si anëtarë të Komisionit Disiplinor), Shalaku ka marrë një vendim të kundërligjshëm për dënimin disiplinor të F.K.

    Ky vendim ka qenë në kundërshtim me nenin 58 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, sepse është zbatuar retroaktivisht, pretendon prokurori i rastit.

    Me këtë vendim, ata kanë ulur në pozitë F.K dhe e kanë transferuar në një pozitë tjetër më të ulët.

    Gjithmonë sipas Prokurorisë, ky vendim është marrë me qëllim të dëmtojë K. dhe është ekzekutuar menjëherë, pa e lënë kohën e nevojshme për ankimim.

    Ky dënim është dhënë edhe pse më parë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte anuluar një vendim të mëparshëm për të njëjtin rast, çka do të thotë se i dëmtuari nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë dhe ligjore.

    Për këtë rast, Shalaku akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sipas nenit 414, paragrafi 1 të KPRK-së.

    Prokuroria po ashtu ka paraqitur një tjetër akuzë ndaj Naim Shalakut, këtë herë në lidhje me çështjen disiplinore të K.S.

    Më 30.12.2024, Naim Shalaku, së bashku me Pashk Vuksanin dhe Razije Murtezajn, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Disiplinor, kanë marrë një vendim për ndëshkimin disiplinor të K.S.

    Ata e kanë transferuar atë në një pozitë tjetër, duke përdorur si masë disiplinore “Transferim në pozitë të ngjashme në klasë dhe kategori të njëjtë në kuadër të divizionit të arkivës”.

    Sipas Prokurorisë, ky transferim ka qenë i paligjshëm dhe me qëllim të shkaktimit të dëmit për të dëmtuarën.

    “Në fillim, ata kanë shtyrë ekzekutimin e një vendimi tjetër (vendimi nr. 2322, i datës 26.09.2023), duke u bazuar në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Më pas, më 08.01.2025, në kundërshtim me nenin 50 të të njëjtit ligj, kanë nxjerrë një vendim të ri (vendimi nr. 17), për ta ndryshuar vendimin e parë dhe për ta lënë të njëjtën masë disiplinore, por me një formulim të ri”, thuhet në dosjen të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Sipas Prokurorisë, ky veprim ka qenë i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me nenin 130 dhe nenin 143 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

    Rasti ka filluar nga një kallëzim penal i datës 08.11.2024, i cili është ngritur ndaj Hekuran Nikçit, Kryeinspektor në Inspektoratin e Punës.

    Këto veprime janë konsideruar të dyshimta dhe me bazë të mjaftueshme për ndjekje penale.

    Në përgjithësi, Prokuroria argumenton se Shalaku dhe bashkëpunëtorët e tij kanë keqpërdorur pozitën e tyre për të dëmtuar punonjës të caktuar, duke ndërmarrë vendime të kundërligjshme dhe duke manipuluar procedurat disiplinore në dëm të të punësuarve.

    Hekuran Nikçi, Kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, ka pasur lidhje me transferimin e F.K dhe mënyrën si është kryer ky veprim në kundërshtim me ligjin.

    Më 09.10.2024, Hekuran Nikçi nxjerr vendimin nr. 2602, me të cilin e transferon F.K, nga pozita e Menaxherit të Personelit në pozitën Udhëheqës i Divizionit për Arkivë, për një periudhë të përkohshme prej 6 muajsh.

    Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe zbatohet po atë ditë.

    Ky vendim është në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të protokollit të rregullt për transferimin e punonjësve civilë, sepse: Nuk i është dhënë asnjë arsye e shkruar të dëmtuarit F.K mbi arsyet e këtij transferimi.

    Nuk është ndjekur procedura e vlerësimit të kriterit të përshtatshmërisë për pozitën e re.

    Vendimi nuk ka pasur hapësirë për ankesë, sepse ka hyrë në fuqi menjëherë.

    Ka qenë i paligjshëm sipas nenit 143 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi ka qenë një akt administrativ i lëshuar paraprakisht, pa i dhënë të drejtën e mbrojtjes palës së dëmtuar.

    Anulimi i këtij vendimi

    F.K e ka kundërshtuar vendimin përmes ankesës, e cila është shqyrtuar nga KPMSHC, bën me dije prokuroria.

    “Ky organ, më 29.11.2024, ka nxjerrë vendimin A.nr.1571/24, ku: e anulon vendimin nr. 2602 të datës 09.10.2024, obligon Zv. Kryeinspektorin që të kthejë F.K në pozitën e tij të mëparshme”.

    Prokuroria konstaton se Hekuran Nikçi ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke marrë një vendim pa autorizim të plotë dhe duke ndikuar në mënyrë të padrejtë në emërimet dhe transferimet e punonjësve.

    Ai ka shkelur parimet e administratës publike dhe ka krijuar një situatë të paligjshme për F.K.

    Emërimi i Naim Shalakut në këtë pozitë

    Pas transferimit të F.K në Divizionin e Arkivës, më 08.11.2024, me vendimin nr. 2942, në vendin e tij është caktuar Naim Shalaku, i cili tani mban pozitën Zyrtar i Lartë.

    Prokuroria dyshon se ky veprim ka qenë i paramenduar, për të favorizuar Naim Shalakun dhe për të larguar F.K nga pozita e mëparshme.

    Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria argumenton se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe pengimit të hetimeve, prandaj ka propozuar që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit për një periudhë 30-ditore.

    Si rrjedhojë, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është parashtruar kërkesa e paraburgimit prej 1 muaj ndaj kryeinspektorit, Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku, ushtrues i detyrës së Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin e Punës.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark