×
  • Lajme
  • Lajme

    “I had a dream”, Ahmetxhekaj i gjuhet pushtetit pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të përgjithshëm të RTK’së

    Insajderi
    07 July 2024 - 14:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i përgjithshëm i RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij nga posti i drejtorit gjeneral të televizonit publik nuk është bërë me dëshirën e tij.

    Ahmetxhekaj përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook ka thënë se këtë e ka bërë për shkak të presionit publik.

    “Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.

    Lajmin për dorëheqjen e tij e ka bërë të ditur bordi i RTK’së me anë të një komunikate për media. Në njoftim thuhet se dorëheqja do të jetë efektive nga nesër, ndonëse aty nuk është bërë e ditur arsyeja e dorëheqjes.

    “Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024 z. Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në njoftim.

    “Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, shton tutje në njoftim bordi i televizionit publik.

    Sipas Ahmetxhekajt qëndrimi i tij në këtë pozitë kur ka mungesë të mbështetjes është i pakuptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë për transmetuesin publik.

    “Në më pak se 3 vjet, u zbatua projekti për Festivalin e Këngës, u organizuan dy koncerte fantastike të RTK-së, u hartuan dokumentet strategjike për reformën e RTK-së, nisëm shou televiziv, përmirësuam rrjetin transmetues të kanaleve të Radio Kosovës, përmirësuam dukshëm kushtet e punës, investuam në teknologji e studio të reja, hapëm zyret rajonale në Prizren dhe Mitrovicë dhe së shpejti edhe në Pejë e Gjilan, siguruam të drejta sportive, duke përfshirë ndeshjet e kombëtares së Kosovës në futboll, Ligën e Kampionëve dhe ligat e tjera të UEFA-së, transformuam mediat online dhe skemat programore në të gjitha njësitë, siguruam prezencën tonë në operatorët kabllorë në veri të Kosovës, përfituam projekte të shumta me partnerët ndërkombëtar, zbatuam projekte inovative teknologjike dhe shumë projekte të tjera që mundësuan avancimin dhe rritjen e kredibilitetit të RTK-së”, u shpreh Ahmetxhekaj.

    Më tutje Ahmetxhekaj ka thënë se krijimi i një ekipi duhet të mbrohet nga interferimi politik.

    “Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim”, tha ai.

    Në vend të tij, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK’së është emëruar Zana Spahiu.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark