×
  • Lajme
  • Lajme

    “I ka tri raste të hapura” – Avokatja e Drenusha Latifit tregon se a ka ende urdhër-mbrojtje ndaj ish-burrit

    Insajderi
    05 November 2024 - 12:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-miss Kosova, Drenusha Latifi, është shndërruar në kryetemë që nga mbrëmë. Kjo për shkak se ish-bashkëshorti i saj, Atilla Kardesh, të cilin ajo muaj më parë e akuzoi për dhunë fizike dhe psikike, u bë pjesë e formatit Big Brother VIP Kosova 3, ku edhe Drenusha po merr pjesë vetë. Hyrja e tij ka ngjallur shumë reagime kundër produksionit, duke e cilësuar të papranueshme pjesëmarrjen e një dhunuesi në një emision me frekuencë nacionale. Ndaj tij kishte urdhër mbrojtës deri para pak muajve.

    Për këtë, Gazeta Insajderi kontaktoi avokaten e Drenusha Latifit, Saranda Keqekollën, e cila konfirmoi se urdhri mbrojtës ka skaduar para dy muajsh. Si palë, ata kërkuan rivendosjen e tij, por gjykata e refuzoi.

    Avokatja theksoi se ekzistojnë tri procedura ligjore ndaj ish-bashkëshortit të Drenushës: dy për mosrespektim të urdhrit mbrojtës dhe një për besimin e fëmijëve.

    “Drenusha ka pasur një urdhër mbrojtës për 6 muaj, i cili ka skaduar gati para dy muajve. Ne kemi parashtruar kërkesë për një urdhër mbrojtës të ri, por gjykata e ka refuzuar, duke u thirrur në njëfarë rrethane, ku thuhet se në 3 ditët e fundit nuk ka pasur dhunë në familje dhe se nuk është përsëritur dhuna. Përkundër faktit se kemi pasur edhe dy raste të tjera për mosrespektim të urdhrit mbrojtës, për të cilat kemi filluar procedurë penale. Aktualisht, ne kemi bërë ankesë në shkallën e dytë për urdhrin mbrojtës, por ende nuk është shqyrtuar dhe për momentin nuk kemi një urdhër mbrojtës në fuqi”.

    Ai ka tri procedura kundër tij: një rast për dhunë në familje dhe dy raste të tjera, nëse nuk gaboj, për mosrespektim të urdhrit mbrojtës, ku jemi në procedurë penale. Përveç këtyre, jemi në procedurë civile për besimin e fëmijëve dhe kemi bërë padi të rregullt”, tha ajo për Insajderin.

    E pyetur se kur ka ndodhur denoncimi ndaj të njëjtit, avokatja tha “Denoncimet ndaj tij janë bërë pasi rasti është bërë publik”.

    Avokatja e cilësoi të papranueshme pjesëmarrjen e tij në këtë spektakël, duke shtuar se ai u bë i njohur për publikun për ushtrim të dhunës, për rrahjen e Drenushës.

    “Për mua është e papranueshme t’i jepet hapësirë televizive një personi që pretendon të fitojë famë në krah të bashkëshortes, dhe që është bërë i njohur për publikun pikërisht për ushtrimin e dhunës në familje ndaj Drenusha Latifit. Kam dëgjuar komente nga më të ndryshmet, se Drenusha nuk ka dalë publikisht, por unë nuk mendoj që ajo duhet të izolohet nga jeta normale”, potencoi ajo.

    Keqekolla theksoi se Drenusha Latifi është një grua e papunë dhe ka një synim për të marrë pjesë në këtë spektakël.

    Avokatja shtoi se klientja e saj kujdeset edhe për mirëqenien e fëmijëve, pasi ish-bashkëshorti nuk paguan obligimet që i takojnë me ligj.

    “Ajo duhet të vazhdojë rrugën që ka nisur, sepse e di ku e ka synimin. Aktualisht, Drenusha është e papunë dhe kjo ishte një mundësi e mirë për të, për të gjetur një vend pune. Ajo ka dy fëmijë për të cilët, për një kohë të gjatë, nuk është duke marrë asnjë pagesë për alimentacion apo ndihmë. Nuk mund të mbetet pa të ardhura financiare, ndaj duhet të gjejë një vend pune për të përballuar përgjegjësitë e saj”.

    E pyetur për fëmijët e ish-çiftit, avokatja i tha Insajderit se ata po qëndrojnë me nënën e Drenushës.

    “Ne jemi marrë vesh para se të hynte Drenusha në këtë proces dhe e kam informuar për procedurat ligjore që parasheh ligji. Në rast se njëri nga prindërit udhëton ose largohet për një kohë të gjatë për punë, ai duhet t’i dorëzojë fëmijët prindit tjetër. Nëse ky prind refuzon të kujdeset për ta, atëherë caktimi i personit të tretë – në këtë rast, nëna e Drenushës – bëhet i nevojshëm dhe ajo ka marrë fëmijët nën kujdesin e saj”.

    Për hyrjen e tij në shtëpi kanë reaguar edhe OJQ për mbrojtjen e grave.

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se hyrja e ish-burrit të Drenushës në shtëpi bie ndesh me përpjekjet për ta luftuar dhunën në baza gjinore.

    “Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore, siç u pa mbrëmë në televizionin Klan Kosova. Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një show në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

    Sipas tyre, të promovohen figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

    Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë”, thuhet tutje në reagim.

    Për rastin kanë reaguar edhe nga organizata QIKA në një postim në Facebook.

    “Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave!”, thuhet në postimin e tyre.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark