Haxhi Ahmetaj, dyshohet të jetë personi i cili fshihet prapa mashtrimit me platformën Ndreqinotat.com. Gazeta Insajderi, tash e disa javë, ka hulumtuar këtë platformë e cila thirret në vetëpunësim, e njëjta ka kërkuar para për intervistë nga personat që kanë aplikuar për punë.
Ndreqinotat.com prezantohet si një program i monitoruar i Qeverisë dhe organizatës GIZ. Kjo platformë del të jetë mashtrim.
Nga Qeveria e Kosovës, kanë konfirmuar se platforma në fjalë nuk ka mbështetje nga Qeveria.
Qeveria i i bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe ta paraqesin rastin në organet e rendit.
Kush qëndron prapa kësaj platformë?
Një platformë që thirret në vetëpunësim, po i kërkon të interesuarve për aplikim në vend punë, pagesë. Të interesuarve i kërkohet nga pesë euro, si tarifë për shpenzime teknike, ndonëse intervista thuhet se mbahet online në “Zoom”.
Ky aplikacion shërbimet i ka falas.
Ndreqinotat.com, ka dhënë njoftim në rrjete sociale dhe grupe të ndryshme se po kërkon persona të interesuar për punësim. Aty thuhet se kjo është një platformë online për mësime ndihmëse për nxënësit.
Ky njoftim i konkursit për punë është bërë nga një profil në “Facebook”, i quajtur Haxhi Ahmetaj.
Në profilin e tij thotë se është menaxher në Shopex.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Ahmetajn, i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Edhe në e-mailin e kësaj platformë Insajderi ka pyetur se kush qëndron, prapa kësaj, të njëjtit nuk kanë dhënë emër, duke dhënë edhe një përgjigje jo profesionale.
“Na le rahat“, ishte përgjigja që dhanë.
Por, përfshirjen e tij në këtë platformë e ka përmendur edhe një qytetare e cila u ankua në një grup në rrjetin social “Facebook”, për mashtrim. Ajo tha se Haxhi Ahmetaj i ka kërkuar para.
“Po vetëm duan të i marrin paret, nuk merret kush me ju, ju vjen një e-mail që duhet paguani pesë euro në emër të këtij Haxhisë, pastaj nuk lajmërohet askush“, tha një qytetare.
Ajo që bie në sy është se kjo platformë që përdor monitorimin nga Qeveria, ka edhe një procedurë aplikimi të çuditshme.
Nga të interesuarit kërkohet që ta ndjekin faqen në “Facebook”, dhe të shkruajnë në mesazh “Jam i interesuar për punë“.
Si po mashtron ndreqinotat.com?
Kjo platformë në konkursin e lartpërmendur, nuk e kanë cekur që duhet paguar për intervistë.
Por, kur të interesuarit për punësim janë paraqitur, atyre i është kërkuar pesë euro, si tarifë për shpenzimet teknike të organizimit të intervistave.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje, nga kjo platformë se pse po u kërkohen para, të njëjtit thanë se po i kërkohet edhe për të parë seriozitetin e kandidatëve.
“Shuma simbolike e kërkuar është bërë për këto qëllime: 1. Për të parë, para së gjithash, seriozitetin dhe motivimin e kandidatëve për t’u listuar në platformë si tutorë. 2. Për të mbuluar shpenzimet dhe kohën e madhe që po shpenzojmë në të gjitha proceset lidhur me aplikantët (shqyrtimi i aplikacioneve, përpilimi i përgjigjeve, organizimi dhe mbajtja e intervistave, vlerësimi, etj.). 3. Shumica dërmuese e mjeteve të grumbulluara do të investohen në zhvillimin e platformës“, thuhej në përgjigje.
Në pyetjen se a po mashtrohen qytetarët, ndreqinotat.com tha se janë mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe nga GIZ.
“Në programin për vetëpunësim të Qeverisë së Kosovës dhe GIZ, kam konkurruar me idenë e zhvillimit të një platforme online ku mësimdhënësit (tutorët) dhe nxënësit do të kishin një hapësirë virtuale ku do të zhvillohej mësimdhënia dhe mësimnxënia në mënyrë të sigurtë, transparente, të lehtë, dhe efikase, duke sjellë përfitime për të gjitha palët e përfshira.
“Për këtë ide kam punuar shumë dhe ajo është përkrahur nga Qeveria dhe GIZ si një ndër idetë (projektet) më të mira. Qeveria dhe GIZ më kanë përkrahur financiarisht për zhvillimin e website-it të platformës dhe për marketingun e nevojshëm për fillimin e projektit. Në këtë kuptim, Qeveria monitoron se a janë kryer proceset për të cilat janë dhënë mjetet“, thuhej në përgjigjen e dhënë për Insajderin.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës ka mohuar se ka mbështetur këtë platformë.