
Një person i moshës përreth 18-vjeçare ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës në Sfarçak të Vushtrrisë për zjarrvënie.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari i kishte vënë zjarrin disa mbeturinave në afërsi të arës me dy hektarë grurë dhe me sipërfaqe të madhe me hamullaje, shkruan Insajderi.
“Personi i dyshuar i moshës 18 vjeçare, gjatë intervistimit ka pranuar se i kishte vënë zjarrin disa mbeturinave në afërsi të atij lokacioni pa menduar për pasojat. Zjarri kishte përfshirë një arë me grurë prej dy hektarësh e gjithashtu edhe një sipërfaqe të madhe me hamullaje”, thuhet në njoftimin e PK’së.
“Pas intervistimit dhe procedurave tjera, është kontaktuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti ,,Zjarrvënie” dhe hetimet për këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të kësaj vepre penale”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/