
Është pranvera e tretë të cilën Garip Sylejmani mund ta përjetojë vetëm nga ballkoni i dhomës së tij, që ndodhet në katin e dytë të Shtëpisë së Pleqve në Prishtinë.
Ai është vetëm njëri nga banorët e kësaj shtëpie, dalja e të cilëve në oborr është privuar që nga momenti kur shteti vendosi ta rregullojë ashensorin e vjetër, i cili, megjithëse kishte defekte, kohë pas kohe edhe punonte.
Ashensori i ri erdhi, por dyert e tij janë aq të vogla sa është e pamundur të jetë funksional për 70-vjeçarin, i cili daljen e fundit në oborr e ka bërë në vitin 2019.
Pavarësisht përpjekjeve të tij, karroca nuk mund të depërtojë brenda ashensorit “të ri” të shtëpisë, në të cilën Garipi jeton tash e 40 vjet.
Ministria e Financave, ku aktualisht është fuzionuar një pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e arsyeton vetën me pretendimin se fajet qëndrojnë te karroca e Garipit, pasi, sipas tyre, është e madhe. /klankosova