Një incident i rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës në Suharekë, ku një fëmijë 10-vjeçar u plagos aksidentalisht me një armë gjuetie nga vëllai i tij i mitur.
Policia njoftoi se fëmija u dërgua fillimisht në spitalin rajonal të Prizrenit për trajtim emergjent dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për shkak të natyrës serioze të lëndimeve.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, tha për Insajderin se gjendja e fëmijës është stabile.
Pas një intervenimi kirurgjik në sallën e Emergjencës, fëmija është dërguar në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm.
“Një 10 vjeçar është trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente me plagë sklopetare, pas intervenimit kirurgjik në sallën e Emergjencës nga ekipet e anestezionit kirurgji vaskulare, ortopedisë dhe kirurgjisë plastike është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit, gjendja është stabile”, ka thënë Syla.
Policia ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa prokurori është informuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hetimore.