I preferuari i Kurtit fut Vesna Pantoviqin në listë – ajo quajti ‘heronj’ kriminelët serbë të Banjskës që vranë Afrim Bunjakun - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    I preferuari i Kurtit fut Vesna Pantoviqin në listë – ajo quajti ‘heronj’ kriminelët serbë të Banjskës që vranë Afrim Bunjakun

    Insajderi
    24 September 2025 - 11:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me ngulm, pushteti i Albin Kurtit tentoi që pozitën e nënkryetarit të Kuvendit për komunitetin serb t’ia siguronte Nenad Rashiqit. Për më tepër, u kërkua që Rashiqi të distancohej nga Lista Serbe, ndërkohë që vetë Kurti, i cili ia besoi detyrën e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se Rashiqi ka punuar më së shumti për serbët.

    “Nenad Rashiq e pranon Republikën e Kosovës, punon për institucionet e shtetit tonë dhe ka punuar më së shumti për serbët,” deklaroi Kurti për gazetarët kur u pyet rreth mbështetjes së tij për Rashiqin në pozitën e nënkryetarit.

    Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, e cila mbi 50 herë ka dështuar të zgjidhet kryetare e parlamentit, u kujdes që opozitës t’i shkruante për t’ia siguruar votën Rashiqit.

    “Nuk ju kam kërkuar votën për veten si kryetare e parlamentit, por po e kam kërkuar për Nenad Rashiqin,” deklaroi Haxhiu gjatë një debati televiziv, duke shtuar se duhet bërë diferencim i Rashiqit nga Lista Serbe.

    Por me kaq ngulm nuk po punon Rashiq për të mirën e Kosovës.

    Ai po i “ngul” Albin Kurtit kandidatë në listë që kanë folur keq për shtetin, të cilët i kanë quajtur “heronj” kriminelët serbë të Banjskës.

    Kush është Vesna Pantoviq?

    Nën llogon e Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit për zgjedhjet komunale, më saktë atë të Leposaviqit po kandidon një person që paraqet rrezik për Kosovë, që po e çon përpara propagandën e Vuçiqt ndaj Kosovës.

    I preferuar i pushtetit të Albin Kurtit, ai ia besoi kandidaturën për kryetare të Leposaviqit Vesna Pantoviqit, e cila ka bërë deklarata publike kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

    Pantoviq, deri vonë ka qenë drejtoreshë për arsimin në Komunën e Leposaviqit nën administrimin e Lulzim Hetemit nga Vetëvendosje.

    Ajo ka folur në televizionin serb propagandistik Informer duke quajtur Milan Radoiciqin dhe grupin e armatosur në Banjskë “heronj”, ka fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka quajtur ROSU “terroriste” dhe ka përdorur gjuhë të rëndë ndaj popullit shqiptar.

    Para dy muajsh, Pantoviq është emëruar në Këshillin Qendror të Partisë Socialiste të Serbisë, partia e Millosheviqit dhe Daçiçit.

    Më 28 dhjetor 2022, gjatë barrikadave në veri, ajo është parë në Rashkë në takim me Radoiciç dhe presidentin Vuçiq.

    Ndërkohë, sot Kosova shënon dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, njëkohësisht kur Pantoviq e zgjedhura e Rashiqit të preferuarit të Kurtit i ka quajtur “heronj” kriminelët serbë që vranë Afrim Bunjakun.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark