
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka replikuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për fjalën ‘nomad’ të cilën ia mveshi opozitës.
Musliu-Shoshi përmes një shkrimi në Facebook, i ka thënë Kurtit se në fakt veç ai është nomad.
“Në skenën politike, veç Albin Kurti është nomad! Pa vizion të qëndrueshëm, pa një adresë të përhershme për problemet e qytetarëve dhe pa asnjë përgjegjësi për dështimet e qeverisë së tij. Albini lëviz nga një premtim bosh te tjetri, por realiteti nuk e ndjek. Më tragjikja: në Kosovë nuk ka as pronë, as nuk rrit fëmijë, e as varr nuk ka! Kosova ka nevojë për udhëheqje të rrënjosur në të vërtetën JO për udhëtarë politikë që zhduken kur duhet të përgjigjen!”, ka shkruar Musliu.
Kurti i ka quajtur “deputetë nomadikë” deputetët e opozitës, nën pretendimin se nuk po duan që të kenë shtëpi, duke aluduar për Kuvend, shkruan Insajderi.
“Në këtë frymë, më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, që ata të kenë shtëpi, t’i quajë deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata që nuk duan të kenë shtëpi. Ata të cilët nuk duan shtëpi janë nomad. Ky është thelbi i nomadit”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
“Ata që s’po votojnë, është mirë t’i pyesni pse po vijnë? Unë e di pse po shkoj dhe s’kam munguar asnjëherë. Asnjëherë në këta 48-orësha s’kam munguar si kryeministër në detyrë dhe si deputet që ka dhënë betimin. Unë s’po e di pse po vinë. Më lejoni që të theksoj se Kosova ka qeveri, ka kryeministër në detyrë. Ajo çfarë i mungon Kosovës është Kuvendi dhe Kuvendi është shtëpia e deputetëve, deputetët e kanë shtëpinë këtu.
Por, ka disa deputetë të cilët nuk po dëshirojnë të kenë shtëpi. Se ende si ka ardhë radha Qeverisë Kurti 3 që ta thotë fjalën e tyre. Tash për tash, ata janë në fazën që nuk po duan që Republika e Kosovës të ketë Kuvend. Nuk ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti si atyre opozitarë. Se deputetët opozitarë, pikërisht e duan Kuvendin. Kuvendi është mjeti më i vlefshëm për ta sesa për deputetët e mazhorancës”. /Insajderi.org/