Mykola Kulichenko përpiqet të rrëfejë ngjarjen që nuk duhet të ishte gjallë për ta treguar. Por ky burrë ukrainas beson se mbijetoi duke u bërë sikur kishte vdekur, në mënyrë që të mund të flasë për të gjithë ata që nuk munden pasi nuk janë më mes nesh.
Në anë të një rruge të largët në rajonin verior të Chernihiv të Ukrainës, Mykola tregon varrin e pashënuar në të cilin ai dhe dy vëllezërit e tij u varrosën tre javë e gjysmë pas fillimit të luftës, në tokën e pushtuar nga forcat ruse. Të tre ishin qëlluar; ishte i vetmi që mbijetoi.
“Është si të ringjallesh,” tha Mykola, 33 vjeç, për CNN.
Deri më 18 mars, jeta për familjen Kulichenko kishte ndryshuar pak pavarësisht se rusët pushtuan fshatin e tyre Dovzhyk që nga fillimi i luftës. Më pas, kur një kolonë ruse u bombardua, ushtarët rusë filluan të kërkonin përgjegjësit. Ata arritën në shtëpinë me dërrasa druri ku Mykola jetonte me dy vëllezërit e tij, Yevhen dhe Dmytro së bashku me motrën e tyre, Iryna — e cila ende nuk e ka falur veten që nuk ishte në shtëpi atë ditë, përcjell Reporteri.net.
Tre ushtarë u thanë vëllezërve të gjunjëzoheshin në oborrin e përparmë ndërsa ata kontrollonin shtëpinë duke kërkuar ndonjë gjë që do t’i lidhte me kolonën e bombarduar, tha Mykola. Sipas Mykola, pasi gjetën medaljet ushtarake që zotëronte gjyshi i tyre dhe një çantë ushtarake që i përkiste 30-vjeçarit Yevhen, i cili kishte qenë parashutist, ushtarët ishin të bindur se kishin diçka për të fshehur.
Mykola, Yevhen dhe Dmytro u çuan në një bodrum ku u morën në pyetje për tre ditë, tha ai. Mykola vazhdoi të shpresonte se rusët do t’i lironin, por në ditën e katërt, tha ai, disponimi i tyre ndryshoi.
“Më kanë rrahur gjithë trupin me një shufër metalike dhe më kanë futur tytën e armës brenda në gojë”, tha ai.
Së bashku me vëllezërit e tij, Mykola u torturua derisa humbi ndjenjat. Ai thotë se ata ua kishin lidhur sytë, duart dhe këmbët me shirit dhe i çuan me një automjet ushtarak në një ngastër toke të shkretë. Ata u gjunjëzuan, me sy të lidhur, ndërsa u hap një gropë, tha Mykola.
Fillimisht, tha ai, dëgjoi një të shtënë pas tij dhe 36-vjeçari Dmytro, më i madhi nga të tre, ra në tokë. Më pas, ai ndjeu Yevhen, më i riu, që i ra pranë.
“Po mendoja se unë isha i radhës,” tha ai. Por plumbi kishte hyrë në faqe të Mykolës dhe kishte dalë pranë veshit të tij të djathtë. Ai e dinte se shpresa e tij e vetme për të mbijetuar ishte të luante të vdekurin.
Ushtarët i hodhën trupat e vëllezërve në gropë, i mbuluan me dhe, dhe u larguan, sipas Mykola. Ai nuk mund të thotë se sa kohë u varros i gjallë, vetëm se me duart dhe këmbët ende të lidhura, ai disi ia doli të dilte nga poshtë kufomës së vëllait të tij të madh dhe të kthehej në tokën e të gjallëve.