×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    I rriti rrogat “pa kajde” në prag zgjedhjesh- Si bëhej nervoz Kurti kur bëhej fjalë paga në sektorin publik?

    Insajderi
    31 October 2024 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehej me mllef kur mësimdhënësit kërkonin rritje pagash. Përkundër që ata kushtëzonin edhe me greva. Shefi i Qeverisë nervozen e shprehte edhe me minatorët e minierës “Trepça”, të cilëve këtë vit ua vonoi pagat përreth tre muaj. Kërkonte ngritje performance. Por, në prag të zgjedhjeve parlamentare s’pati kurrfarë kushti për punonjësit publikë për ngritjen e pagave ndaj tyre, ndonëse insistonte se ngritja e pagave nuk duhet të bëhej në përputhje me rritjen ekonomike, por me produktivitetin e tyre.

    Gazeta Insajderi

    Ndihmom si vëlla, ami 100 euro”. Kjo shprehje Kurtit iu bë e famshme, pasi e përdorte të ironizonte me kërkesën e kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, për rritje pagash për mësimdhënësit para dy vitesh. Pretendonte se kjo kërkesë është vetëm që ta sulmojë qeverinë, shkruan Insajderi.

    Vetëm që të sulmohet qeveria, ka mos-kokëçarje për shtetin. Pak a shumë është mënyrë e njëjtë me ato 30 për qind të Trustit. Mënyra e njëjta është. Unë i dua paratë, nuk çaj kokën as për shoqërinë, nuk çaj kokën as për shtetin, unë i dua paratë për vete. Kështu nuk bën. Kjo kërkesë as nuk mund të maskohet e gjithsesi zbulohet me shprehjet “vëlla”.

    “Ndihmom si vëlla, na ndihmo të dalim prej krizes si vlla, ami 100 euro”. Nuk mundesh me u sjellë me qeverinë e Republikës së Kosovës në mënyrë private. Këto janë kohërat e kaluara. Unë nuk bëj ashtu”, deklaronte Kurti në Kuvend pas takimit me Jasharajn.

    Kuletën e shtetit Kurti e “kursente” edhe për minatorët e Trepçës. Tek pas tre muajsh vonesë, në një mbledhje të Qeverisë, Kurti në gusht të këtij viti vendoste që të ndante mbi katër milionë euro për ndërmarrjen publike për tejkalim krize. Rrjedhimisht edhe ekzekutim pagash. Mirëpo, s’e linte pa ua përcjellë edhe një mesazh minatorëve.

    Ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, deklaronte në mbledhje ai.

    Në vitet e para qeverisëse pyetej pse nuk po i rriste pagat në periudhë krize. Kurti ua çante hallin sektorit privat, duke thënë se 80 për qind e të punësuarve i përkasin këtij të fundit. Shprehej me ironi se ka garuar me sloganin “Drejtësi dhe Punësim” e jo me Ligjin për rritje pagash.

    Unë kam garuar në fushatë jo me Ligjin për Rritjen e Pagave por me slloganin “Drejtësi dhe Punësim”. 25 mijë vende të punës i kemi shtuar nga vendi i kaluar. Unë dëshiroj punësimin e njerëzve e jo thjesht me prioritet mbi prioritetet rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin publik. Se edhe ashtu paga mesatare në sektorin publik e kemi edhe në sektorin privat. Unë jam i interesuar të rritet mesatarja. Shumica dërrmuese e të punësuarve, diku 80 për qind nuk janë në sektorin publik, janë në sektorin privat. Ne dëshirojmë që, po edhe në sektorin publik një ditë të rritet paga, mirëpo rritja e pagës nuk duhet ta ndjekë thjesht rritjen në ekonomike, por duhet ta ndjekë rritjen e produktivitetit”, deklaronte i pari i ekzekutivit në vitet e para qeverisëse të Qeverisë Kurti 2.

    Fjalë të ngjashme i thoshte edhe opozitës në Kuvend, duke thënë se ajo parti që ka garuar për rritje pagash në zgjedhje ka humbur.

    “Pagat, pagat, pagat”. Unë e di që jeta është bërë më e vështirë në Kosovë, por duhet ta keni parasysh: Parulla jonë me të cilën kena fitu në zgjedhje ka qenë punësim dhe drejtësi, jo rritje e pagave. Ju keni garuar në rritje të pagave edhe keni hupë. Pra, prej vitit 2014 ka parti që kanë garu për rritje të pagave si parullë, ato parti kanë hupë. Na kena fitu me punësim dhe drejtësi. Me i shti në punë ata që s’janë, e jo ata që janë e dihet qysh kanë hy në punë, tash veç me u marrë me ta e me ua rritë pagat”, thoshte Kurti.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbrëmjen e së martës tregoi se rritja e pagave do ta prekë tërë sektorin publik. Mirëpo, në konferencën e mbajtur ditën e së martës përzgjodhën vetëm kategoritë të cilat kanë protestuar më herët për çështje të pagave – policinë, zjarrfikësit, infermierët… – duke fshehur kështu edhe rritjen e pagave për deputetët e ministrat.

    Por, rritjes së pagës hairin do t’ia shohin edhe kryeministri, presidentja, ministrat e deputetët. Sa do t’iu bëhet paga atyre? Insajderi raportoi në bazë të një përllogaritje bazuar në premisën e rritjes së pagës për sektorin publik nga viti i ardhshëm:

    Presidentja – Aktualisht paguhet 1980 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 2090 euro

    Kryeministri – Aktualisht paguhet 1870 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1980 euro

    Zëvendëskryeministri – Aktualisht paguhet 1815 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1925 euro

    Zëvendësministri – Aktualisht paguhet 1628 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1738 euro.

    Rritjen e pagës ndaj vetes Kurti në opozitë e quante “hajni”.

    T’ia rrisësh pagën vetës është hajni, është vjedhje. Vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik. P.sh. kjo rritje e pagave. Kjo është veçse e pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm. Edhe me këtë qeveri ne nuk flasim dhe nuk bëjmë ekonomi përveçse financa”, deklaronte Kurti në opozitë.

    Në vitet e para të Qeverisë Kurti 2, po ashtu, shprehej se s’bën si partitë e tjera, që t’i rrisë pagat në kohë zgjedhjesh.

    Me premtime elektorale janë përpjekur të rrisin pagat, por ekonomia nuk funksionon asisoj. Mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me rritje pagash në fushata elektorale siç është bërë në të kaluarën”, deklaronte para tri vitesh Kurti.

    Deklaratë të ngjashme por me qëllim të njëjtë bëri Kurti edhe në konferencën për media që njoftoi për rritje pagash në sektorin publik.

    Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti në atë konferencë.

    Rritja e pagave në sektorin publik do të fillojë nga viti i ardhshëm do të jetë në total 110 euro, e ndarë në dy faza. 55 euro nga janari dhe 55 të tjera nga korriku. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark