×
  • Lajme
  • Lajme

    I shpallur “Non Grata” nga SHBA dhe i akuzuar për korrupsion, çka ishte raportuar para një viti për Artan Grubin dhe ‘aferën e lotarisë’

    Insajderi
    16 December 2024 - 20:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot në mëngjes policia ka bastisur shtëpinë e ish zv/kryeministrit nga radhët e BDI-së, Artan Grubi dhe shtëpinë e ish-drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajrami.

    Nga MPB thonë se, bastisjet janë bërë rreth dyshimeve për krim në Lotarinë e Maqedonisë.

    Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ku siç është bërë publike tanimë ai ndodhet në Kosovë, dhe ka theksuar se është për vizitë private dhe do të kthehet përsëri në Maqedoninë e Veriut.

    Para një viti në shtypin maqedonas janë botuar artikuj se “Lotaria shtetërore” kishte blerë pajisje me një vlerë mbi 10 milionë euro në tendera të dyshuar si të manipuluar dhe se tenderat i kishin fituar kompani që njiheshin për mbështejen financiare të Bashkimit Demokratik për Integrim.

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski pas ardhjes në pushtet akuzoi “Lotarinë shtetërore” për veprimtari të jashtëligjshme, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të viheshin para drejtësisë, ndërsa zyrtarët e koaliciont qeverisës “Vlen” kanë akuzuar prej javësh zotin Grubi për përfshirje në korrupsion.

    Në 2023’tën, REL kishte hulumtuar qiranë e Lotarisë së shtetit me vlerë prej 2.6 milionë eurove me një kompani të afërt me BDI dhe kishte zbuluar se para se “Hej DOOEL” të nënshkruan kontratën për qira me kompani aksionare, menaxhere e kompanisë ka qenë Natyra Grubi Bela, e cila njëkohësisht është edhe vajza e xhaxhit së zëvendëskryeministrit Artan Grubi.

    Sic kishte shkruar REL, objekti që ndodhet në rr. Hasan Prishtina nr. 57b në Vizbeg, Shkup, nga 5 korriku 2023, është hapësira e re e zyrës së Lotarisë shtetërore.

    Sipas marrëveshjes së publikuar nga REL, Lotaria shtetërore do t’i paguajë kompanisë “Hej DOOEL” një qira mujore prej gati 22 mijë euro në muaj për një periudhë 10 vjeçare. Në kontratë thuhej se pagesa e qirasë mujore do të fillojë nga data 15 korrik 2023. Kjo do të thotë se sipas kontratës, Lotaria shtetërore duhet t’i kishte paguar kompanisë rreth 88 mijë euro për qiranë.

    Një numër i madh i kompanive të vendosura në zonën industrial të Vizbegut gravitojnë rreth objekteve të reja afariste të Lotarisë shtetërore. Disa prej tyre punojnë në ambientet e tyre, por disa marrin edhe objekte të tjera me qira.

    Në një bisedë me disa biznesmenë kishin thënë se shuma për marrjen me qira të një objekti në këtë zone është nga dy deri në tre euro për metër katrorë.

    Hipotetikisht, sikur edhe të merret për bazë shuma prej tre eurove për metër katrorë dhe sipërfaqen prej 2426 metrash katrorë që “Hej DOOEL” i jep me qira Lotarisë shtetërore, bëhet fjalë për 7278 euro në muaj, një çmim tregu tre here më i lirë se ajo që “Hej DOOEL” e ngarkon Lotarinë shtetërore – gati 22 mijë euro.

    REL më 31 tetor 2023 dërgoi pyetje në Lotarinë shtetërore në lidhje me afatin dhe periudhën se kur do të “vendosen” në ambientet e reja në Vizbeg. Gjithashtu pyetëm se sa para janë planifikuar për rikonstruimin dhe përshtatjen e ish-lokalit për dasma, për nevojat e tyre. Në të njëjtën kohë, u kërkua shpjegim se pse Lotaria shtetërore do të marrë me qira për 2.6 milionë euro hapësira për zyra, në vend që të blejë hapësira për zyra që do të jetë në pronësi të saj për atë shumë.

    Por nuk ishte marrë përgjigje as për pyetjet e adresuara, e as ka arritur ndonjë lajm për qasje eventuale në procedurën e realizuar.

    REL ka bërë të ditur se “Hej DOOEL” është themeluar më 2 shkurt 2023. Si pronar i parë i saj shënohet emri i Armin Mashoviç, i cili në një kohë të shkurtër blen token dhe pasurinë e paluajtshme nga “Markoni Engineering”, ku do të jenë ambientet e reja të Lotarisë shtetërore për shumën prej 649 mijë euro.

    Pas zyrtarizimit të marrëveshjes së shitblerjes dhe pas ndryshimit të pronësisë në Agjencinë e Kadastrës, “Hey DOOEL” e sapoformuar, si pronare e re e objekteve aplikoi dhe fitoi në thirrjen publike të Lotarisë së shtetit për dhënien me qira të hapësirave të punës, në shpalljen e publikuar më 31 maj 2023 vit.

    Vështrimi mbi historikun e ndryshimeve në Regjistrin Qendror tregon se që nga themelimi i “Hej DOOEL”, pra në periudhën nga 2 shkurti deri më 23 shkurt, Natyra Grubi Bela figuronte si menaxhere. Siç raportoi fillimisht REL, duke iu referuar të dhënave në profilin e saj në Linkedin, të cilat nuk ekzistojnë më pas publikimit të emrit të saj në hulumtimin e bërë dhe të publikuar, ajo është e punësuar si asistente ekzekutive në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup.

    Por, REL mësoi se Natyra Grubi Bela është në fakt një e afërm, pra kushërirë e zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Sigurimi i Grubit është vëllai i burrit të saj, Bekim Bela.

    Pas fshirjes së Natyra Grubi Belës nga menaxherja e kompanisë, në vend të saj u fut Mashoviq, i cili ishte pronar i vetëm deri më 26 tetor.

    Pasi që REL njoftoi se Lotaria shtetërore do të marrë me qira hapësirat e punës nga kompania e Armin Mashoviqit, ish-partner afarist i Erxhan Sulkoskit, i cili ishte i lidhur në biznes edhe me dhëndrin e vajzës së liderit të BDI-së, Kushtrim Smajlaj, erdhi koha edhe për një ndryshim të ri në pronësinë e kompanisë.

    Më 26 tetor në Regjistrin Qendror është shënuar se pronar i ri është bërë Asmir Jahoski, shefi i “Pucko Petrol” dhe djali i ish-kryetarit të Komunës së Pllasnicës dhe deputet aktual nga radhët e BDI-së.
    Me ndryshimet e fundit, Asmir Jahoski u bë pronari “Hej DOOEL”, kompani që për një periudhë prej një dekade do të arkëtojë mbi 2.6 milionë euro nga Lotaria shtetërore për dhënien me qira të objekteve afariste.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark