I kërkuar nga drejtësia kosovare, mjeku turk i njohur për rastin “Medicus”, Kenan Demirkol, sipas emisionit “Betimi për Drejtësi” është dorëzuar qysh me 25 janar të këtij viti “pas negociatave që kishte zhvilluar Demirkol me drejtësinë kosovare përmes avokatit të tij Ismet Shufta”.
Demirkol është i dyshuar për përfshirje në transplantimin e organeve në rastin ‘Medicus” dhe sipas avokatit Shufta, ai do të përballet me hetimiet.
“Mjeku më ka kontaktuar vet dhe më ka kërkuar që të dorëzohet në mënyrë që të hiqet fletë arresti ndërkombëtar ndaj tij, pasi ishte në kërkim nga Interpol”, ka thënë avokati Shufta për emisionin, raporton Insajderi.
“Në shkresë kam treguar se mjeku Demirkol dëshiron të jap deklaratë, por kushti i tij ka qenë që hiqet fletë arresti dhe mos të ndiqet nga organet e ndjekjes”.
Demirkol sipas avokatit ka mohuar përfshirjen e tij në transplantim organesh dhe ka mohuar deklaratat e dëshmitarëve, se kishte kryer transplantime dhe akuza të tjera.
Mjeku Kenan Demirkol, ka pranuar vetëm se i njeh mjekët e përfshirë në rastin “Medicus”, dhe se kishte kryer operacione me ta, por jo operacione të transplantimeve, por operacione të përgjithshme.
Avokati Shufta thotë se më herët ishte kontaktuar shpesh edhe nga mjeku tjetër turk po ashtu i kërkuar nga “Interpol” Dr. Josuf Somnez, i cili po ashtu e kishte shqyrtuar mundësinë e dorëzimit të tij tek organet e ndjekjes në Kosovë. Tash për tash, Somnezi, sipas avokatit Shufta, nuk po kërkohet vetëm nga Kosova, por edhe nga Federata e Rusisë.