Dy volejbollistë të Pejës janë ndalur mbrëmë në mbajtje nga Policia e Kosovës në Ferizaj.
Lajmin e ka konfirmuar Policia.
Kjo për shkak të sulmit fizik që disa anëtarë të klubit pejan e kryen ndaj tifozëve vendas të Ferizajt, të cilëve u janë vërsulur lartë në tribunën e shikuesve.
Policia për Gazetën Express:
“Me 01.12.2024, rreth orës 22:40 ka ndodhur një sulm fizik në sallën e sporteve ,,Bill Clinton“ në Ferizaj.
Dy persona, lojtar të ekipit të volejbollit KV “Peja” janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes volejbollistike KV “Ferizaj” dhe KV “Peja”, kur këta të fundit kanë hyrë në pjesën e tribunave të shikuesve të Ferizajt dhe i kanë sulmuar ata fizikisht.
Nga Njësia e Hetimeve të stacionit të Ferizajt janë identifikuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje dy lojtarët e KV “Peja”.
Njësia e Hetimeve të stacionit të Ferizajt është duke grumbulluar edhe informacione tjera, nëse ka të implikuar tjerë në këtë ngjarje dhe në koordinim me prokurorin do të ndërrmerren masat e nevojshme ligjore!”