Ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm në zyrat e KQZ-së në dhjetor të vitit 2022, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P., ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj” – thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Mirlinda Gashi për Insajderin.
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.