
Rexhep Qosja është nderuar me çmimin e posaçëm të Kosovës, “Letërsia Shqipe”. Qosjes i erdhi ky çmim pasi ky i fundit ia bëri një argat Qeverisë Kurti. I pati dy reagime mbështetëse për Lëvizjen Vetëvendosje.
Përgjatë ditës së martë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njoftoi për ndarjen e çmimit për Qosjen.
“Sot pata nderin t’i ndaj Akademik Rexhep Qosjes çmimin “Letërsia Shqipe”, një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe letërsinë tonë. Me veprën e tij letrare dhe studimet shkencore, Akademik Qosja ka ndërtuar një bibliotekë të tërë të mendimit albanologjik, kritik letrar, publicistik e historiografik. Ai është jo vetëm një studiues e shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe një zë i fuqishëm intelektual, protagonist aktiv në proceset e mëdha shoqërore të botës shqiptare“, shkroi ndër të tjera Çeku.
Për Qosjen shkroi edhe i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai foli në sipërore për intelektualin që ftonte të votohej Vetëvendosja në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Ngjitja në mendim është thellim. Kështu e kam përshtypjen kur eci përpjetë shkallëve të mbushura me libra. Ky nuk është trillim. Në një shtëpi në Velani, shkallët e kateve brenda, nuk kanë mbajtëse normale. Në vend të parmakëve, ka libra. Nëpër shkallë, mali i librave krijon bibliotekën. Muret nëpër shkallë të mbushura me piktura. I rrëmbyer nga to, duke i ngjitur dy katet, në fund, të shfaqet një tjetër bibliotekë. Nga antikiteti deri te më bashkëkohorët. Nga veprat e humbura të Eskilit deri te gërmat e fundit që një poet i ri, diku në botë sa i bëri varg. Letërsi e histori, filozofi e art, sociologji e shkencë. I humbur në atë hapësirë të mbuluar me libra rreth e përqark, në qoshe të dhomës, përballë dritares, një makinë shkrimi. Në të, ulur një burrë me mjekër të bardhë, syzet e trasha dhe që po shkruan ende. I shtyrë në moshë, ai sërish vazhdon të krijoj tingullin e bukur kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit. Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidati për Çmimin Nobel për Letërsi, e, sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë, “Letërsia Shqipe”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, deklaroi Kurti.
Qosja së fundmi ka bërë një deklaratë që i ngjan një militanti.
Qosja ka kërkuar shkarkimin dhe dënimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve “të korruptuar” për shërimin e Kosovës.
“Nëse nuk i shkarkoni dhe dënoni prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, NUK mund ta SHËRONI Kosovën.
Ata e kanë formuar një kartel (një DIKTATURË GJYQËSORE) dhe po mbrojnë korrupsionin sistemik që i solli në postet e tyre”, ka thënë Qosja.
Qosja kishte dalë në kohë fushate hapurazi pro Albin Kurtit. Ai thoshte se i ka pëlqyer ligji për sekuestrimin e pronës së paligjshme dhe luftimi I nepotizmit ndër të tjera.
“Do të votoj sepse Vetëvendosja me Kryeministër Albin Kurtin, padyshim, e ka ngritur prestigjin vendor dhe ndërkombëtar të politikës së Kosovës”, deklaronte Qosja, duke mbyllur sytë para sanksioneve të BE’së ndaj Kosovës. /Insajderi.org/