Ia mundësuan Venhar Hanës e Sllavica Mikiqt ta merrnin nën kontroll pronën 15 milionëshe - Insajderi sjell detaje nga dosja për 5 të arrestuarit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ia mundësuan Venhar Hanës e Sllavica Mikiqt ta merrnin nën kontroll pronën 15 milionëshe – Insajderi sjell detaje nga dosja për 5 të arrestuarit

    Insajderi
    18 July 2025 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më parë për transaksionet që shteti i konsideron të dyshimta mes avokatit tashmë në paraburgim, Venhar Hana, biznesmenit Ditmir Islami dhe një kosovareje me shtetësi serbe, Sllavica Mikiq. Insajderi sjell detaje nga dosja e 5 të arrestuarve në këtë rast:

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për 5 të arrestuarit: Bashkim Shaqirit, Mejreme Bajramit, Veton Bytyqit, Zelije Shala dhe Mehdi Bahtirit. Të njëjtin dyshohen se ia mundësuan Venhar Hanës e Sllavica Mikiqt ta merrnin nën kontroll pronën 15 milionëshe, duke keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.

    Në dosjen e siguruar nga Insajderi thuhet se të pandehur, Shala, Bahtiri dhe Bytyqi në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të përfitimit kundërligjshëm për vete dhe personat e tjerë e duke tejkaluar kompetencat e tyre, kanë keqpërdorë pozitat e tyre.

    Tutje thuhet se këta tre, e kanë vendosur kundëligjshëm në dosjen e arkivës dokumentin e falsifikuar.

    “Gjatë vitit 2021 në Prishtinë, të pandehurit Zelije Shala,  Mehdi Bahtiri dhe Veton Bytyqi, në Prishtinë në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të përfitimit kundërligjshëm për vete dhe personat e tjerë e duke tejkaluar kompetencat e tyre, kanë keqpërdorë pozitat e tyre, ashtu që Zelije Shala në cilësinë Shefe e Depos së Arkivës – Agjencia Shtetërore të Arkivave, Veton Bytyqi dhe Mehdi Bahtiri në cilësinë e Zyrtarit -Arkivist në Depon e  Agjencisë Shtetërore të Arkivave, në mënyrë të kundërligjshme e kanë vendosur në dosjen e arkivës dokumentin e falsifikuar Aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit me shenjen P.br.56/57, të datës 28.04.1976, i cili aktgjykim asnjëherë nuk ishte dorëzuar zyrtarisht me procesverbal nga Gjykata e Prizrenit në ASHAK.

    E që pastaj pas kërkesës për vërtetim nga Florent Kurtolli (tani i ndjeri) sipas autorizimit të pandehurës Slavica Mikic e kanë vulosur këtë Aktgjykim tërësisht të falsifikuar me vulën e arkivit duke i dhënë fuqi ligjore për tu dukur si origjinal, dhe pas tërheqjes se saj nga pala, e kanë zhdukur në tersi si dosje edhe pse ishte e falsifikuar,  dhe në këtë mënyrë i kanë krijuar mundësinë të pandehurve Slavica Mikiq dhe Venhar Hana që të paraqesin kërkese për regjistrim të pronës, pranë Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Prishtinës për pronën – parcelën/ngastrës kadastrale P-71914075-00427-1 me sipërfaqe 39201m2, me lokacion në Veternik – Prishtinë, e cila është pronë shoqërore e ish RTP-së, nën menaxhimin e AKP-së, tani në emër të pandehurës Slavica Mikic. Me këto veprime në bashkëkryerje të pandehurit, Zelije Shala, Mehdi Bahtiri dhe Veton Bytyqi, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritet Zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me par 1, dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

    Tutje thuhet se gjatë vitit 2022 Bashkim Shaqiri, drejtor i Departamentit Zyrës Ligjore – Agjencia Kadastrale e Kosovës, dhe Mejreme Bajrami në cilësinë e personit zyrtar – Zyrtare në Departamentin Ligjor dhe bartëse e lëndës kanë tejkaluar kompetencat e tyre të parapara me ligj, ashtu edhe pse ZKK në Prishtinë dy here radhazi kishte refuzuar.

    Gjatë vitit 2022 në Prishtinë, i pandehuri Bashkim Shaqiri në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor i Departamentit Zyrës Ligjore – Agjencia Kadastrale e Kosovës, dhe e pandehura Mejreme Bajrami në cilësinë e personit zyrtar – Zyrtare në Departamentin Ligjor dhe bartëse e lëndës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin kanë tejkaluar kompetencat e tyre të parapara me ligj, ashtu edhe pse ZKK në Prishtinë dy here radhazi kishte refuzuar  kërkesën e parashtruar nga Slavica (Rade) Mikic, përfaqësuar nga Venhar Hana,  duke nxjerre Aktvendime me Ref: 011-463-2/2350/21 i datës 05.01.2022 dhe Aktvendimin me Ref: 011-4463-2/2350/21-22 i datës 24.03.2022 dhe duke arsyetuar në mënyrë shumë të qartë se akti juridik Aktgjykim në bazë të Pranimit, i nxjerr nga Gjykata e Qarkut në Prizren nr. P-56/76, i formës së prere me dt. 28.04.1976 në njësinë kadastrale P-71914075-00427-1, Çagllavicë, Lojze Veternik, 39201 m2, duke arsyetuar se ky Aktgjykim nuk mund te ekzekutohen në regjistra kadastral pasi i njëjti është nxjerrë jashtë kompetencës territoriale dhe në kundërshtim me nenin 56 të ligjit për Procedurën Kontestimore G.Z. RSFJ nr.44/77, në këtë rast sendi i paluajtshëm parcela me numër P-71914075-00427-1, shtrihet vetëm në zonën e Komunës së Prishtinës e jo edhe në atë të Komunës së Prizrenit, kurse objekti i Aktgjykimit nuk është fare parcela me numër 1883-0 (në Leskovëc të Prizrenit), por vetëm parcela 0427-1 në ZK Çagllavicë, kurse neni 2 i ligjit për Procedurën kontestimore G.Z. RSFJ nr.44/77.

    Po ashtu nga përgjigja që ka marr ZKK Prishtinë nga Agjencinë Kosovar i Privatizimit është konfirmuar se kjo pronë është nën menaxhimin e AKP-së përkatësisht pronë e ish RTP-së, përgjigjet nga Arkivi ndër komunar i Prishtinës dhe Agjencia Shtetërore e Kosovës nuk janë konform përgjigjeve të dhëna në rastet e tjera por vetëm mbështjellësi i shkresave, Padia dhe Aktgjykimi, ashtu që përkundër vërejtjeve që ka paraqitur ZKK në Prishtinë të pandehurit Bashkim Shaqiri dhe Mejreme Bajrami me datë 16.05.2022 me dashje dhe në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësit e tyre të punës kanë marr Aktvendim me numër 03/141/22 i datës 17.05.2022 me të cilën e kanë aprovuar kërkesën e tani të pandehurës Sllavica Mikic të cilën e përfaqësonte pandehurit Venhar Hana dhe e kanë regjistruar këtë pronë në emër te Sllavica Mikic ku më tutje e kanë obliguar  Drejtorinë Kadastrale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të bëjë regjistrimin e njësisë P-71914075-00427-1 me sipërfaqe 39201m2, Veternik – Prishtine, Zona Kadastrale në Çagllavicë, pronë e AKP-së duke bërë bartjen e pronësisë në emër të pandehurës Slavica Mikic e që më vonë nga të pandehurit Venhar Hana dhe Slavica Mikic kjo ngastër kadastrale është shitur tek një numër i madh i personave dhe është bartur në emër të tyre, e gjithë kjo është mundësuar nga veprimet e të pandehurve Bashkim Shaqiri dhe Mejreme Bajrami, të cilët me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëm material rreth 15 milion euro nga prona shoqërore”, thuhet tutje në dosje.

    Në dosje thuhet se zyrtarët e AKK-së në mënyrë të kundërligjshme edhe pse e kanë ditur se një aktgjykim i tillë nuk ekziston fare ia kanë regjistruar pronën kontestuese të pandehurës Slavica Mikic pa kurrfarë baze ligjore, e në këtë mënyrë duke iu mundësuar të pandehurve Slavica Mikic dhe Venhar Hana përfitime të kundërligjshme në vlera milionëshe.

    Mënyra e kryerjes se veprës penale ku të pandehurit duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar ku kanë pasur kompetencë për të vendosur rreth kësaj çështje dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë vepruar në dëm të interesit publik, duke manipuluar me shkresa të ndryshme në përgjigjet e tyre drejtuar institucionet të ndryshme e duke i vënë në lajthitje se dokumenti – Aktgjykimi p.br.56/57 i datës 28.04.1976 është origjinal dhe prona i përket Slavica Mikic, dhe duke kthyer përgjigje se i njëjti dokument gjendet në Arkiv, por se për momentin janë duke e kërkuar sepse i n jëjit sipas tyre është përzier me dokumente të tjera dhe se janë duke e kërkuar. Po ashtu, zyrtarët e AKK-së në mënyrë të kundërligjshme edhe pse e kanë ditur se një aktgjykim i tillë nuk ekziston fare dhe se në mënyrë shumë të qartë e ka sqaruar Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadaster e Komunës së Prishtinës për shkak se gjykata e Prizrenit ka vendosur jashtë kompetencës territoriale, ia kanë regjistruar pronën kontestuese të pandehurës Slavica Mikic pa kurrfarë baze ligjore, e në këtë mënyrë duke iu mundësuar të pandehurve Slavica Mikic dhe Venhar Hana përfitime të kundërligjshme në vlera milionëshe.

    Andaj, me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe të pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penale juridike është e nevojshme që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tyre gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo – juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa“, thuhet në dosje. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark