Erigers Mihasi është një nga viktimat e atentatit të ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit. Ai ka qenë duke udhëtuar në automjetin tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur ai është bërë shënjestër e plumbave. Burime bëjnë me dije se atentatorët kanë qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Kush është Erigers Mihasi
Ai nuk është një emër i panjohur për policinë. Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Më herët ai është arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen, plagosjen, vjedhjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.
Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër. Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve që efektivë të komisariatit numër 6 bënë lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës më 15 qershor. Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje ishin Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi