Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka dalë i acaruar nga ambientet e SPAK pas më shumë se 3 orësh marrje në pyetje.
Meta shtoi se është marrë në pyetje në cilësinë e kundërshtarit të narkoregjimit. Kreu i PL sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, ku tha se në vend që të ndalojë Edi Ramën, inceneratorët, aferën e Durrësit, PPP që janë rrjedhje financiare, merret me laraskat.
Meta nuk dha shpjegime para gazetarëve për çështjen që është pyetur nga Prokuroria e Posaçme, por tha me ironi se u thirr në cilësinë e kundërshtarit të ‘Dum Dumanit’.
“Ju e dini që SPAK është kthyer falë Dum Dumanit në një parti bashkëqeverisëse e Edi Ramës. Unë jam pyetur 3 orë kot më kot. Unë jam pyetur ne cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshtetit dhe narko-regjimi që e mban në këmbë Dum-Dumani.
I cili në vend që të hetojë McGonigalin, të cilin e ka takuar ai dhe prokurorët e tjerë, në vend të ndalojë Edi Ramën, Inceneratorin, aferën e Portit e Durrësit, në vend të ndalojë gjithë ato PPP që janë vjedhja më e madhe financiare, merret me përrallat e laraskave të tij. Po iki se kam sipërmarrjen dhe tryezën. Këto do Dum-Dumani, këto detyra i kanë caktuar.
Jam pyetur si kundërshtar i narko-regjimit, që kërkon të mbahet me Dum Dumanin tuaj. Dum Dumani që bën të ato akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”, thekson Meta.
Për shkak se Meta doli i nervozuar nga SPAK, shoqëruesit u përpoqën ta ndalonin të fliste më tepër me gazetarët.
Edhe kur u fut në Prokurorinë e Posaçme, Meta sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumanin. Një qasje totalisht ndryshe nga bashkëshortja e tij, e cila tha se ndahet me Metën për sulmet që adreson ndaj drejtësisë.
“Dumdumani është ai që s’guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, as për çështjen e Sali Berishës…Për çfarë jeni thirrur? Unë po shkoj te Dumdumani, kur të dal do ju tregoj”, tha Meta për gazetarët teksa futej në SPAK rreth orës 10:15.
SPAK po heton dy çështje të Ilir Metës, si hetimi pasuror dhe çështja lobimit. Mësohet se Meta është thirrur për të japë deklarime pikërisht për këto dy çështje si person në dijeni.
Për të njëjtën çështje, Kryemadhi u pyet për 5 orë ditën e djeshme, 12 qershor, ndërsa sa i takon akuzave për shpenzime marramendëse për operacionet plastike, Kryemadhi tha se s’ka asnjë ndërhyrje estetike, por ka bërë vetëm botoks.
Kjo është hera e tretë që Meta thirret në SPAK, dhe dy herët e para ka dhënë deklarime lidhur me hetimin për ÇEZ-DIA, hetime që po kryhen nga Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai./ Pamfleti