Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u njohur me masën e sigurisë.
Seanca ishte parashikuar të mbahej paradite, por u shty pas dreke pasi avokatët kërkuan kohë për tu njohur me provat.
Policia është siguruar që Ilir Meta të vendoset në një “kafaz xhami” në gjykatë, siç shihet në pamjet e publikuara.
Atje u paraqit edhe deputetja Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Metës.
Në paraqitjen e paradites, u raportua se Meta në sallën e gjyqit tha fjalë të ashpra ndaj kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe prokurorëve tjerë.
Ish-presidenti i vendit dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën në mesditë me urdhër të SPAK-ut.
Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.